Këshilltari i Kurtit publikon dokumentin ku BE-ja kishte sanksionuar Vuçiqin

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jeton Zulfaj ka publikuar një dokument në të cilin thotë se gjatë vitit 1999, Bashkimi Evropian kishte sanksionuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin.
Përmes një postimi në Facebook, Zulfaj thotë se Vuçiqi u sanksionua për mbështetjen e regjimit të Millosheviqit në kryerjen e spastrimit etnik në Kosovë.
“Në vitin 1999 BE-ja e sanksionoi Aleksandër Vuçiqin për mbështetjen e regjimit të Millosheviqit në kryerjen e spastrimit etnik dhe gjenocidin në Kosovë”, shkroi Zulfaj.
Tutje, Zulfaj tha se Serbia duhet të ndryshoj duke filluar që nga kushtetuta e saj.
“Në vitin 2023 Miroslav Lajçak pret nga i njëjti person që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia duhet të ndryshojë, duke filluar nga kushtetuta e saj”.


Kujtojmë se Kosova dhe Serbia janë në një fazë të procesit të dialogut ku interesimi i ndërkombëtarëve për arritjen e një marrëveshje është i madh.
Madje, Kosovës dhe Serbisë iu është prezantuar edhe një plan franko-gjerman i cili është i mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian.
Krahas kësaj, po kërkohet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
/Shqip.com