Lajme

Këshilltari i Kurtit i reagon Ramës: Gjermania s’e mbështet Mini-Shengenin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i ka reaguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me postimin e tij të fundit rreth nismës “Ballkani i Hapur”, njofton Shqip.com.

Rama gjatë ditës ka thënë se qeveria gjermane e mbështet këtë nismë dhe kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan më 6 tetor.

Kësaj deklarate i është përgjigjur Zulfaj duke thënë se Gjermania nuk e mbështet Mini-Shengenin, por Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ai ka ftuar Ramën të punojnë së bashku në Procesin e Berlinit.

“Gjermania nuk mbështet “Minishengenin” tash të ndryshuar në “Open Balkan”. Gjermania mbështet Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. “Minishengen” (Open Balkan…) është duplifikim i panevojshëm. Eja të punojmë së bashku në Procesin e Berlinit Edi Rama”, i ka reaguar në Twitter Zulfaj.

Rama përmes një postimi në Twitter, ka thënë se edhe Qeveria e Gjermanisë është në mbështetje të integrimeve rajonale.

“’ÇUDI’! Qeveria gjermane e mbështeska Open Balkan ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë prej atyre që s’pyesin për Amerikën dhe jo vetëm kaq, po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor” ka thënë Rama.

Ai citoi atë që e ka thënë Qeveria e Gjermanisë. Sipas kryeministrit shqiptar kjo është “rruga e së ardhmes”.

“Open Balkan thotë qeveria gjermane duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe po, patjetër, kështu duhet të jetë e ndaj dera është e hapur, por as nuk përfshijmë dot kënd me zor, as nuk rrimë dot të presim sa t’u mbushet mendja atyre që s’duan të kuptojnë se kjo është rruga e të ardhmes”.

Minishengenit iu ndryshua emri në ”Ballkani i Hapur“, dhe kjo u bë me aprovimin e tre liderëve të shteteve anëtare; Edi Ramës, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev.

Në Prishtinë e Tiranë, ka pasur kritika për Ramën, duke i thënë se “me këtë po e faktorizon Serbinë”.

Njëri nga kritikuesit është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mendon se bashkëpunimi rajonal duhet të fillojë ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. /Shqip.com