Lajme

Këshilltari i Kurtit i lë fajin Qeverisë Hoti për mosftesën e SHBA-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka fajësuar mënyrën e ardhjes në pushtet të Qeverisë së kaluar për lënien anash të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Samitin për Demokraci, njofton Shqip.com.

Me anë të një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Zulfaj thotë se nuk është fare befasi pse Kosova nuk u ftua në këtë samit të thirrur nga SHBA-të dhe se e gjithë kjo ka ardhur si pasojë “e rezultatit të dobët të demokracisë së Kosovës në ‘Freedom House’”.

“Mbase edhe ndonjë muaj do të shihemi me raportet ndërkombëtare të 2020. Nuk është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai.

Jeton Zulfaj – Këshilltari politik i kryeminsitrit Albin Kurti

“Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që radhitet më së ulëti në “Nations in Transit” nga Freedom House me 3.14 nga 7 pikë ose 36% nga 100%. Freedom House vlerëson se këtë vit rezultati i demokracisë shënoi rënie për Kosovën për shkak të instalimit jokushtetues të qeverisë Hoti në Qershorin e vitit 2020”, shtoi më tej Zulfaj.

“Pra, ashtu sikurse Raporti i Progresit edhe ky i Freedom House e të tjerë që u publikuan janë të bazuar kryesisht në vitin e kaluar”, ka shkruar ai në Facebook.

Në fund, Zulfaj ka thënë se Kosova dhe qytetarët e saj s’kanë asnjë arsye për t’u hidhëruar, por as për t’u dëshpëruar pasi “rezultatet e ndryshimeve të mëdha demokratike” që ata sollën këtë vit do t’i shohin të reflektuara në raportet ndërkombëtare në vitin që vjen.

Në fotografinë e publikuar nga Zulfaj shihet se rënia e pikëve për demokracinë në Kosovë ka ardhur për shkak të formimit jokushtetues të Qeverisë Hoti në qershor të 2020-s.

Kosova nuk është ftuar në Samitin për Demokraci që do të mbahet për herë të parë në SHBA më 9 dhe 10 dhjetor.

Pjesëmarrës do të jenë udhëheqës të qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat, ku diskutimi do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet demokracia dhe do të ofrojë një platformë ku udhëheqësit angazhohen, individualisht ose kolektivisht, për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Ndonëse lista zyrtare nuk është bërë ende e ditur, medium prestigjioz amerikan “Politico”, ka siguruar listën përmes burimeve të saj, në të cilën ishin 100 shtete pjesëmarrëse në këtë samit, por që aty nuk figuroi Kosova.

Në këtë listë, përveç Kosovës, nuk është ftuar as Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nga rajoni.

Ndërkohë, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë ftesë. /Shqip.com