Lajme

Këshilli Prokurorial: Nëse qeveria nuk distancohet nga deklaratat linçuese, do të ndërpresim bashkëpunimin

Këshilli Prokurorial i Kosovës
Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka shprehur shqetësim për deklaratat e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, të bëra të premten në llogarinë e tij në Facebook, ku ka thënë se “po dëshmohet që vet prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale”.

Sipas KPK-së, deklaratat e Sallahut janë linçuese, tendencioze, paragjykuese dhe kanë për qëllim dëmtimin e sistemit prokurorial.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu

Ndaj, KPK-ja ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës se nëse nuk distancohet nga deklaratat e tilla, do të ndërpritet çfarëdo komunikimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional. 

“Ndërkaq, Prokurori i Shtetit siguron opinionin se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media, dhe çfarëdo shkelje eventuale do të këtë reagime ligjore”, thuhet në komunikatën për media. 

“Këshilli Prokurorial i Kosovës si organ i pavarur kushtetues nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë interferim nga askush për çfarëdo interesi personal, grupor apo politik të cenojë integritetin e sistemit prokurorial”.

Të premten u raportua se ish-prokurori special, Sylë Hoxha, në një marrëveshje gojore me ish-shefin e Agjencisë së Inteligjencës, Driton Gashin, kanë përfshirë dy agjentë fiktiv që të dëshmojnë në gjykatë, e që më pas dëshmitë e tyre janë përdorur nga ish-presidenti, Hashim Thaçi, për të akuzuar kryeministrin aktual, Albin Kurtin dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufcën për lidhje me organizatën e shpallur terroriste “Syri i Popullit”.

Ndaj këtyre raportimeve ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka kërkuar që Hoxha të dalë para drejtësisë, e zëvendësministri Sallahu ka thënë se “po dëshmohet që vetë prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale”.

Vetë Hoxha ka mohuar se ka pasur marrëveshje të tillë me Gashin. “Kurrfarë marrëveshje nuk kam bërë me askënd, e kam zhvilluar procedurën, janë shkresat e lëndës, janë procesverbalet dhe vendimet”, – është shprehur ai./SHQIP.com