Kërkohet paraburgimi i të dyshuarit për vrasjen e gruas në Llaushë të Skënderajt

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit S.Q., për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, përcjell Shqip.com.
Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi se i dyshuari më 5 janar, në fshatin Llaushë të Skënderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, L.Q.
Në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim thuhet se i dyshuari pas një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme me viktimën, ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të saj, të cilën e ka goditur në trup.
“Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari S.Q., me datë 05 janar 2022 në fshatin Llaushë të Skenderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij me iniciale L.Q., ashtu që pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me viktimën, ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup dhe si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
Ndryshe, të mërkurën Policia njoftoi se një 51-vjeçar dyshohet se ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij në Llaushë të Skënderajt.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në vend ngjarje është sekuestruar një armë dhe gjashtë fishekë, teksa i dyshuari pas intervistimit është në ndaluar në ndalim policor./SHQIP.com