Kërkohet paraburgim për personin që dyshohet se dhunoi 12-vjeçaren në Kamenicë

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, nga Gjykata Themelore në Gjilan, kundër të pandehurit M.J., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.J., gjatë muajit tetor 2021, në komunën e Kamenicës, e ka keqpërdorur seksualisht të miturën e moshës 12 vjeçare.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit, i pandehuri gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh”, thuhet në komunikatën për media.

Lidhur me rastin ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, e cila ka kërkuar ndëshkim për kryesin e kësaj vepre dhe drejtësi për viktimën.
Ka thënë se është e trishtuar me lajmin, ndërsa u ka bërë thirrje organeve kompetente “të veprojnë pa mëshirë ndaj kriminelëve”.
“E trishtuar me lajmin e tmerrshëm të dhunimit të një vajze të mitur. Thirrje për Policinë dhe Organet e Drejtësisë, veproni pa mëshirshëm ndaj kriminelëve, njerëz sikur Ky nuk kanë vend në shoqërinë tonë, nuk duhet dhe nuk guxojmë të lejojmë të ndodhin raste të tilla. Ndëshkim dhe drejtësi!”, ka shkruar deputetja e VV-së./SHQIP.com