Lajme

Kelmendi rrëfehet për 2 korrikun 1990: Shpesh na është rrethuar foltorja

Nazmi Kelmendi rrëfehet për miratimin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990

Delegati i Kuvendit të Kosovës në kohën kur është vënë gurthemeli i pavarësisë së shtetit, Nazmi Kelmendi, derisa ka rrëfyer për miratimin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, ka kujtuar periudhën dhe rreziqet me të cilat ishin ballafaquar delegatët e asaj kohe, transmeton Shqip.com.

Në përvjetorin e 31-të, ai ka kujtuar se atë kohë delegatët shqiptarë ishin përballë me shumë fyerje, kërcënime e sulme për veprimet e tyre.

“Sot kemi emocion të veçantë, sepse atë ditë të 1990-s të gjithë deputetët e asaj legjislature i gjetëm të mbyllura të Kuvendit të Kosovës, kuptohet kryetar ishte i komunitetit serb. Kur i kemi parë policët brenda ne jemi ndier shumë të fyer sepse ishte shtëpia jonë. Ishim të vendosur dhe i kemi kryer të gjitha ato detyra. Jam me fat që kam qenë në atë legjislaturë të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ai në “KTV”.

Kelmendi më tej ka shtuar se që nga dhjetori i 1989-së, seancat e Kuvendit nuk ishin të lehta që të mbaheshin.

“Shumë herë na është ndërpre seanca, na është rrethuar foltorja. Një pjesë e madhe e komunitetit, ish-kolegëve serb e malazezë kanë qenë edhe të armatosur. Dy netë e kemi pritur agimin dhe mëngjesin, darkën e drekën të gjitha aty. Ka qenë një mobilizim dhe e kemi përkrahur njëri tjetrin. Sidomos femrat e kanë luajtur rolin e vet. Ka pasur rast kur bashkëshorti ia ka sjellë gruas së tij fëmijën e i ka dhënë gji dhe i ka thënë bashkëshortes urdhëro vazhdoje punën. Kanë qenë momente të vështira e përgjegjësi e madhe”, ka kujtuar ai. /Shqip.com