Kearns: Radoçiqi u la i lirë, ende s’ka pasoja për Serbinë pavarësisht vrasjes së policit në veri
Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka thënë se ende nuk janë vendosur masa ndaj Serbisë, pavarësisht vrasjes së policit kosovar në Banjskë të Zveçanit.
Në llogarinë e saj në platformën X, ajo ka theksuar se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, mbetet i lirë në Serbi.
“Radoiçiq mbetet i lirë në Serbi. Ende nuk ka pasoja për Beogradin nga Britania e Madhe, ShBA-ja, BE-ja, pavarësisht vrasjes së oficerit të policisë, armatosjes së paraushtarakëve, rrëmbimit të policëve, rolit në plagosjen e rëndë të trupave të NATO-s. Megjithatë, Kosova mbetet nën sanksionet e BE-së. Diplomaci parandaluese?”, ka shkruar ajo.
Reagimin e deputetes britanike e ka shpërndarë edhe ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Ilir Kapiti.
“Do të ishte thellësisht zhgënjyese nëse Serbia nuk do të përballej me pasoja për trajnimin dhe mbështetjen e terroristëve për të sulmuar një vend sovran. Mungesa e veprimit në përgjigje ngre pyetje të rëndësishme. Ndërkohë, çuditërisht, Kosova i nënshtrohet masave (sanksioneve) të BE-së”, ka shkruar Kapiti në platformën X.
/Shqip.com