KE pranon se gabimisht kërkoi që shtetet e rajonit t’i vendosnin viza Kosovës

Gjatë ditës së djeshme, Komisioni Evropian kërkoi që shtetet e Malit të Zi dhe Maqedonisë të vendosin viza për qytetarët.
Mirëpo kjo po del se ishte një gabim nga ana e Komisionit Evropian.
Komisioni Evropian pranoi se në raportin vjetor të monitorimit për shtetet që kanë liberalizim të vizave, të publikuar më 5 dhjetor, gabimisht ka vendosur një pasues ku Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi i kërkohej që t’i vendosnin regjimin e vizave Kosovës.
KE-ja tha se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e saj dhe mbështet fuqishëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kërkon që regjimi i vizave në Zonën Shchengen të hiqet pa vonesa për kosovarët.
“Mund të konfirmoj se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim në qëndrimet e Komisionit Evropian, dhe ne absolutisht mbështesim lirinë e lëvizjes në rajon”, tha gjatë një konference për media zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, raporton Radio Evropa e Lirë.
Gjatë ditës së djeshme, Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami ka reaguar pasi Komisioni Evropian i rekomandoi Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut që t’i vejnë viza Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, Bajrami e ka quajtur të papranueshme këtë.
“Absolutisht e papranueshme për Komisionin Evropian ta renditë Kosovën si një nga vendet e treta të kërkuara për viza që kërkon nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që të prezantojnë viza për Kosovën”, shkroi Bajrami.
Bajrami tha se është edhe shqetësuese mohim i liberalizimit të vizave për Kosovën për vite me radhë.
Javën e shkuar, ambasadorët e vendeve anëtare të BE ranë dakord për dritën e gjelbër të bisedimeve të Presidencës së Këshillit Evropian me Parlamentin Evropian mbi liberalizimin e vizave të Kosovës.
/Shqip.com