Kaosi në Kuvend, reagon BE: Parlamenti duhet të jetë funksional, palët të gjejnë dialogun

Delegacioni i BE në Tiranë ka reaguar në lidhje me ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Shqipërisë.
Përmes një reagimi në ‘Facebook’, BE rikujton misionin e parlamentit, në funksion të rolit të tij në procesin e integrimit europian të vendit.
Mes të tjerash BE thekson rëndësinë e dialogut mes palëve, opozitës dhe maxhorancës në interes të qytetarëve shqiptarë.
REAGIMI I BE
Pas zhvillimeve të fundit në Parlamentin e Shqipërisë, Bashkimi Evropian rikujton se një Parlament funksional që ushtron një rol efektiv mbikëqyrës dhe legjislativ është një shtyllë qendrore e procesit të anëtarësimit në BE. Dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në parlament është shumë i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve shqiptarë.

Një ditë më parë, reagime pati edhe nga ambasada e SHBA në Tiranë si ajo britanike.
Ambasada amerikane vë në dukje se “një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t’u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar”. Ambasada nënvizon më tej se “mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”.
Edhe ambasada britanike po ashtu ndan të njejtin shqetësim. Në një deklaratë të shpërndarë pasdite, theksohet se “një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive”. Deklarata i bën “thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve”.
/Shqip.com