Kulturë

Kalaja e Pogragjës në Gjilan pritet të shndërrohet në destinacion turistik

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, po vazhdon ciklin e takimeve me kryetarë të komunave.

Të enjten Çeku u takua me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, ku diskutuan rreth projekteve dhe investimeve në kulturë.

Sipas njoftimit të MKRS-së, një projekt konkret që ngërthen edhe trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Gjilanit është Kalaja e Pogragjës.

“Tashmë po e diskutojmë mundësinë e një investimi të përbashkët mes Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Mjedisit dhe Komunës së Gjilanit, që Kalaja e Pogragjës dhe zona përreth të shndërrohen në destinacion turistik, duke u siguruar gjithmonë që vlerat kulturore, të trashëgimisë dhe ato mjedisore mbrohen me përpikmëri”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në takim u diskutua edhe për mundësinë e bashkëfinancimit të Qendrës së Kulturës në Gjilan, me qellim të plotësimit të nevojave për komunitetin në Gjilan.

Kujtojmë që për shkak të gjendjes jo të mirë të monumenteve kulturore në Gjilan, ndërhyrjet emergjente në këtë rajon janë duke vazhduar.