Lajme

Ka dhënë dorëheqje drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv, Nehat Baftiu

Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv pranë Shërbimet Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Nehat Baftiu ka dhënë dorëheqje.

Përmes një postimi në Facebook, anesteziologu dhe reanimatori Baftiu ka thënë se dorëheqja e tij është e parevokueshme.

“Unë, Prof.Asoc.Dr. Nehat Baftiu, nga data 01.09.2022 ofroj dorëheqje të parevokueshme nga detyra ime si Anesteziolog & Reanimator në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv pranë ShSKUK-së. Arsyeja për këtë dorëheqje sa është personale po aq është edhe një moment reflektimi dhe alarmi për të gjitha institucionet qeveritare për gjendjen në të cilën e kanë sjellë shëndetësinë e Kosovës në përgjithësi dhe pozitën e mjekëve në veçanti”, shkroi Baftiu.

Në këtë njoftim për dorëheqje, Bahtiu ka shprehur zhgënjimin e tij për gjendjen e shëndetësie në Kosovë.

“Sot kur çdo ditë kemi ikje të mjekëve nga Kosova, kur çdo ditë kemi ikje të mjekëve nga sektori publik, kur ende nuk e kemi ligjin e pagave, kur nuk e kemi fondin për sigurime shëndetësore, kur nuk e kemi sistemin informativ të shëndetësisë – SISh, kur pozita e mjekut dhe stafit të mesëm në përgjithësi e atyre të Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv në veçanti lë shumë për të dëshiruar, kur mungon një sistem i mirëfilltë i punës, kur pacientët tanë shëtisin poshtë e lart nëpër spitale të vendeve tjera për të kërkuar ndihmë, nuk kam si të mos jem i mërzitur, zhgënjyer dhe i pezmatuar deri në palcë për këtë gjendje kaq të rëndë”.

Ndërsa, për këtë gjendje, sipas tij faji bie mbi të gjitha partitë politike.

“Normalisht që për këtë gjendje faji bie mbi të gjitha partitë politike në vend, ato që ishin dje dhe këto qe janë sot në pushtet. Sikur ata dje, edhe këta sot, ende flasin për shëndetësinë në nivel dëshirash. Të gjitha ato premtime për sektorin e shëndetësisë mbeten ende të pa realizuara, ndonëse pritjet kanë qenë dhe janë ende të mëdha”.

Tutje, ai ka thënë se lutët që të rregullohet kjo gjendje në Kosovë./Shqip.com