Ekonomi Kosova ka të regjistruara mbi 60 mijë biznese, ndërsa për inspektimin e tyre janë vetëm 28 inspektorë

Jeta në fije të perit, sektori i ndërtimit me shifra alarmante të lëndimeve e vdekjeve të punëtorëve

F.B. emër i njohur për redaksinë, bashkë me një person tjetër panë vdekjen me sy, kur ranë nga kati i dhjetë i një ndërtese në Prishtinë.

Si student i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, F.B. u përpoq të hiqte sadopak barrën e familjes për shkollim, duke punuar në ndërtim.

I njëjti, bashkë me një shok, ranë nga skelet e një ndërtese të lartë në kryeqytet, derisa ishin duke kryer punimet e jashtme të vrazhda.

Fatmirësisht të dy shpëtuan nga më e keqja, por vazhdojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve, pasi kanë pësuar shumë dëmtime shëndetësore.

Ky është vetëm një nga shumë raste të shkeljes së të drejtave të punëtorëve, e ku vazhdon të prijë sektori i ndërtimit.

Sipas të dhënave të deritashme, rreth 70% e numrit të përgjithshëm të vdekjeve në vendin e punës në sektorin privat, vijnë nga segmentet e punës në ndërtim.

Për dhjetë muajt e këtij viti, kanë ndodhur 18 vdekje në vendin e punës.

Sindikata e sheh numrin e vogël të inspektorëve, si arsye e numrit të madh të vdekjeve e lëndimeve në sektorin privat.

“Kemi një numër të vogël të inspektorëve në përgjithësi. Në vitin 2014 kanë qenë 65 inspektorë aktiv në tregun e Kosovës, për dallim nga tash që janë vetëm 28. Dhe është krejtësisht normale që me një numër kaq të vogël të bëhet inspektimi i punëve. Faktikisht e vërteta është se numri më i madh i vdekjeve në sektorin privat është nga ndërtimi. Nga gjitha rastet që kanë përfunduar me fatalitet, një shifër prej 70% e totalit vijnë nga sektori i ndërtimit. Ne mund të nisemi nga ky vit, ku kemi 18 raste që kanë përfunduar me fatalitet dhe shifra mbetet e njëjtë sa i përket përqindjes në ndërtimtari”, ka thënë për Shqip.com, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat.

Në Kosovë janë të regjistruara 60 mijë biznese, e nëse pjesëtohet me numrin aktual të inspektorëve, i bie që secili biznes inspektohet një herë në 12 vjet.

Për kreun e sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, inspektorati nuk është duke e kryer punën e vet, duke thënë se as 5% të obligimeve që i kanë nuk po i përfundojnë.

Numrin e vogël të inspektorëve e ka pranuar edhe kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, para pak kohësh në një intervistë për Shqip.com.

Ai kishte thënë se numri i vdekjeve në sektorin privat, nuk është në shifra normale dhe se shumica e tyre vijnë pikërisht nga sektori i ndërtimit.

Me ligjet në fuqi, dënimet për shkak të mungesës së sigurisë në ambientet e punës, sillen nga 100 deri në 20 mijë euro.

Sipas statistikave, në periudhën 2018-2021 në vendin e punës, përkatësisht vetëm në sektorin e ndërtimtarisë, janë aksidentuar më shumë se 660 punëtorë, ku mbi 50 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet.


/Shqip.com