Lajme

Jashari: Sot protestojmë para qeverisë, nuk pres që dikush nga qeveria të na takojë

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura pritet që sot duke filluar nga ora 14:00 të organizojnë protestë.

Lidhur me këtë Rrahman Jashari nga SBASHK-u pret që sot të ketë një protestë masive.

‘’Sot pritet që të kemi një protestë masive, po ashtu kemi bërë apel te prindërit që shkollat të mos punojnë’’ ka thënë Jashari.

Gjatë ditës se djeshme Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka kërkuar që protesta të mos mbahet, mirëpo Jashari nuk po pajtohet me një kërkesë të tillë.

‘’Është e natyrshme që ministria do të kundërshtojë protestat, ministria duhet të angazhohet më shumë rreth kësaj çështje, ata duhet të bëhen zëri i punëtorëve të arsimit në qeveri’’ ka thënë Jashari.

Ai thotë se ka pasur dy takime me ministren e arsimit , Arbërie Nagavcin po që nuk kanë arritur marrëveshje.

‘’Kemi pasur një takim gjatë ditës së djeshme një takim me Nagavcin, ne i treguam kërkesat tona dhe i treguam se me këtë gjendje pa dialog të mirëfilltë arsimin në Kosovë e presin greva gjenerale’’ ka thënë Jashari.

Pos kërkesës për miratimin e Ligjit të Pagave, nga SBASHK po kërkojnë që qeveria të dhurojë shumën prej 100 euro deri në miratimin e këtij ligji.

Ai thotë se pas protestës së sotme pret  të ulen bashkë me qeverinë për të diskutuar një zgjidhje.

‘’Sot do të protestojmë para qeverisë, nuk pres qe dikush nga qeveria do të del të na takojë’’ thotë Jashari.

Ai ka thënë se të hënën pritet të mblidhen si sindikata për të diskutuar protestën dhe për të vendosur për hapat e ardhshme./Shqip.com