Jashari: Qytetarët janë rreshtuar në qeverisje me duar të pastra

Kryetari aktual i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari – i cili është kandidat i pavarur për të fituar sërish këtë post në zgjedhjet lokale të tetorit, shprehet i bindur se do të dalë fitues nga kjo garë.
Ai thotë se qytetarët e komunës janë rreshtuar në qeverisje me duar të pastra – duke aluduar në udhëheqjen e tij komunale katër vjeçar.
“Ne sot sapo bëmë zyrtarizimin e kandidaturës sime dhe listës sonë të pavarur, që do garojmë në zgjedhjet e tetorit. Dhe se sot, kjo prezencë, kjo mbështetje dhe përkrahje e qytetarëve të komunës më jep më shumë obligime dhe më shumë vendosshmëri dhe një vëmendje të veçantë që unë të jem shumë i kujdesshëm që këta qytetarë të mos i dëshpërojë por t’i gëzoj me punën dhe projektet që presim”, ka thënë ai për KK.
“Prezenca e të gjithë këtyre qytetarëve nga të gjitha fshatrat e komunës tonë, qytetarë me të drejtë vote në Skënderajt, tregon më së miri faktin se si do të përfundojë rezultati i 17 tetorit 2021. Unë i uroj dhe respektoj të gjithë kundërkandidatët, por që qytetarët e kësaj komune nuk janë mësuar me balotazhe. O e votojnë njërin, o tjetrin, kështu sot po tregojnë që qytetarët e kësaj komune janë rreshtuar në qeverisjen e pastër, transparente me duar të pastra”, shtoi Jashari.
Përveç Jashari, për të drejtuar këtë komunë në garë zyrtarisht ka hyrë edhe Sami Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës. /Shqip.com