Lajme Botë

Izraeli sulmon Iranin, Tel Avivi shpall gjendjen e jashtëzakonshme: Presim goditje me dronë nga Teherani

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka njoftuar se Izraeli ka ndërmarrë një sulm parandalues ndaj Iranit dhe ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në vend.

Në njoftimin e Katz thuhet se “pas sulmit parandalues të Shtetit të Izraelit kundër Iranit, pritet një sulm me raketa dhe dronë kundër Shtetit të Izraelit dhe popullsisë së tij civile në një të ardhme të afërt.”

Zyrtarë amerikanë u informuan të mërkurën se Izraeli ishte gati të ndërmerrte një operacion në Iran, raportoi CBS (partneri amerikan i BBC-së), duke cituar burime të njohura me çështjen.

Zyrtarët thanë se kjo ishte pjesërisht arsyeja pse SHBA u kishte rekomanduar disa shtetasve amerikanë të largoheshin nga rajoni dhe se SHBA-ja priste që Irani të hakmerrej ndaj disa bazave amerikane në Irak.

Media shtetërore iraniane konfirmoi se shpërthime janë dëgjuar në Teheran. 

Agjencia e lajmeve Reuters raporton se janë dëgjuar shpërthime në verilindje të Teheranit, duke cituar median shtetërore iraniane Nour News.

Ndërkohë gazetarët e BBC-së kanë marrë gjithashtu konfirmime nga qytetarë në Teheran për shpërthimet.

Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, ka dhënë një deklaratë duke shpallur një “gjendje të jashtëzakonshme speciale” në të gjithë Izraelin dhe thotë se pritet një sulm “në një të ardhme të afërt”.

Deklarata

Pas sulmit parandalues të Shtetit të Izraelit kundër Iranit, pritet një sulm me raketa dhe dronë kundër Shtetit të Izraelit dhe popullsisë së tij civile në një të ardhme të afërt.

Prandaj, në përputhje me autoritetin e tij sipas Ligjit të Mbrojtjes Civile, Ministri i Mbrojtjes Israel Katz ka nënshkruar një urdhër të veçantë, sipas të cilit do të shpallet një gjendje e jashtëzakonshme speciale në të gjithë territorin e Izraelit.

Ju duhet të ndiqni udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes së Brendshme dhe të autoriteteve dhe të qëndroni në zonat e mbrojtura.

Një zyrtar ushtarak izraelit ka thënë se ka disa sulme dhe se ato janë “kundër programit bërthamor të Iranit dhe objektivave të tjerë ushtarakë”. Sipas tij, bëhet fjalë për dhjetëra sulme në zona të ndryshme të vendit.

Ai shtoi se objektivi janë raketat me rreze të gjatë dhe objektiva të lidhura me programin bërthamor.

/Shqip.com