Lajme

“Ishte në vendin e gabuar, në momentin e gabuar”/ Detaje nga vrasja e 19-vjeçarit në Fier, kolegët e të riut: E kishim si vëlla

Grei Bihuci vetëm 19 vjeç humbi jetën një ditë më parë në qendër të Fierit, pasi u godit me thikë nga dy persona të tjerë, vëllezër me njëri-tjetrin.

Autor i krimit u identifikua Florjan Muça, 18 vjeç.

Kolegë të pastiçerisë ku punonte 19-vjeçari, pasi mbaronte shkollën, janë ndalur ditën e sotme pranë vendit ku Grei mbeti i plagosur rëndë mesditën e të hënës, duke vendosur buqeta me lule, e duke ndezur qirinj pranë fotografisë së tij.

Menaxheri i pastiçerisë ku punonte Romeo Dervishi tregon mes tronditjes se 19-vjeçari ka qenë në vendin e gabuar në momentin e gabuar.

Me lot në sy kolegët e tij e kanë vlerësuar të riun që humbi jetën si një djalë me të gjitha vlerat më të larta njerëzore, humbja e të cilit do tu krijojë një boshllëk të madh e të pazëvendësueshëm.

Sot familja e 19-vjeçarit ka hapur dyert e mortit ndërsa dhimbja që vdekja e tij la pas ka lënë të pikëlluar të gjithë komunitetin fierak.

Djalë i dashur me të gjithë ne. Nuk ishte vetëm shok dhe koleg, por ishte vëllai ynë. Na thërriste motër. Ka mbajtur fëmijët e mi në krahë.

Më vjen shumë keq. Nuk ka për t’u harruar kurrë. Më vjen shumë keq për nënë dhe motrat e tij. Grei ke për të mbetur gjithmonë në zemrat tona”, është shprehur një prej kolegeve të tij.

/Shqip.com