Lajme

Ish-kryetari i Gjilanit lirohet nga akuza

Gjykata Themelore në Pejë, ka shqiptuar aktgjykim lirues ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 35 të pandehurve tjerë, të cilët akuzoheshin për korrupsion me tendera në Komunën e Gjilanit në bashkëpunim me operatorët ekonomik.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas gjykatëses Kuka-Mekaj, provat e nxjerra, respektivisht përgjimet e nxjerra në bazë të urdhëresës së Gjykatës së Qarkut, ishin nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe se mungonte kërkesa e prokurorisë për lëshimin e urdhëresës për masat e fshehta të përgjimit.

E njëjta shtoi se zbatimi i masës së fshehtë pa kërkesë të prokurorisë, është i paligjshëm. Kurse, tha se provat e mbetura pa përgjime, nuk i formojnë elementet e veprës penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në Komunën e Gjilanit janë bërë dallavere me 18 tenderë, për çka ngarkoheshin ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 26 zyrtarë tjerë komunal dhe 9 operator ekonomik.

PSRK pretendonte se të akuzuarit kanë bërë kurdisjen e tenderëve, me qëllim që ato t’i fitojnë disa biznese të caktuara.

Në këtë rast, fillimisht kanë qenë të akuzuar 39 të pandehur, prej të cilëve 29 kanë qenë zyrtar komunal dhe 10 operator ekonomik, mirëpo ky numër është ulur në 36 pasi është pushuar procedura për të akuzuarit Heset Mahmuti dhe Behar Mehmetit kurse ndaj Burim Govorit është veçuar procedura.

Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2019, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 39 të akuzuarve tjerë, duke vendosur kështu që të njëjtit të gjykohen për veprat për të cilat akuzohen.

Kështu, Apeli e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të 30 nëntorit 2018, në atë mënyrë që, kërkesat e mbrojtësve për hudhje të aktakuzës i ka refuzuar, ndërsa procedura tani në këtë çështje juridiko penale, sipas Apelit, duhet të vazhdohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor.

Në këtë rast, PSRK ngarkonte të akuzuarit me veprat penale të krimit të organizuar lidhur me veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.

Në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, kjo gjykatë kishte theksuar se në rastin e Mustafës dhe të akuzuarve tjerë, s’ka elemente të veprës penale të krimit të organizuar.

Ish-kreu i Gjilanit Qemajl Mustafa dhe të akuzuarit e tjerë, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 21 nëntor 2017, janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale që i ngarkon kjo aktakuzë./Shqip.com