Lajme

Ish-komandati i Koshares: Kosova asnjëherë nuk ka qenë në situatë më të pasigurt

Hisen Berisha, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës
Hisen Berisha, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës

Ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare, Hisen Berisha është shprehur se Kosova që nga paslufta asnjëherë nuk ka qenë në një situatë dhe ambient më të pasigurt sesa sot pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë, pasi u sulmua nga Rusia.

“Në vlerësimin tim heq favoreve që kemi tani me Shqipërinë që është komanda e NATO-së atje për Evropë unë mendoj se Kosova që nga viti 1999 asnjëherë nuk ka qenë në një situatë dhe ambient më të pasigurt sesa që është sot pas zhvillimeve në Ukrainë që ndodhen sot”, theksoi ai.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha për Shqip.com ka deklaruar se situata e krijuar në Ukrainë paraqet shqetësim real, ndërsa e vlerëson shqetësues edhe qetësinë me të cilën po sillet Qeveria e Kosovës karshi situatës së bashku me partitë opozitare.

“Kjo paraqet një shqetësim real shqetësues në këtë rast më të madhe është qetësia me të cilën  po sillet qeveria jonë por edhe spektri politik edhe opozita në raport me situatën. Ne jemi dëshmitar se Rusia  dhe inteligjenca ruse punojnë me hapur me Serbinë pa ndonjë rezervë qoftë me veprime inteligjente qoftë me koncentrim ushtarak qoftë me furnizim ushtarak dhe raketore…Këto përbëjnë një rrezik potencial për interesat e Kosovës në rajon ”, tha ai.

Hisen Berisha deputet i PDK-së

Berisha theksoi se në aspektin politik Kosova nuk ka asnjë ngjashmëri me Ukraninë, por në aspektin operativ ai thotë se kjo duhet t’i shqetësoj institucionet dhe diplomacinë kosovare.

“Nëse e shohim në aspektin politik nuk kanë kurrfarë ngjashmërie Kosova me Ukrainën dhe situatën e saj, mirëpo në aspektin operativ tash të situatës tash kjo duhet të nxisë shqetësim të madh brenda institucioneve tona edhe diplomacisë  edhe inteligjencës edhe mbrojtjes dhe sigurisë të cilat po duket për momentin janë të heshtura”.

Ish komandanti i UÇK-së, Hisen Berisha thotë se tashmë diplomacia kosovare dhe ushtarake është dashur t’i alarmoj partnerët e saj strategjik. Ndërsa, kërkoi që Forcat e Sigurisë së Kosovës t’i kompletoj kapacitetet ushtarake të saj.

“Është dashur me automatizëm diplomacia kosovare dhe ushtarake të alarmoj të gjitha qendrat  e vendosjes të gjitha qendrat e partnerëve tanë strategjik dhe ato që kanë përgjegjësi sigurinë dhe mbrojtjen në Kosovë në bazë të mandatit që kanë nga Kombet e Bashkuara. Është dashuria qeveria jonë tashmë t’i ketë të harmonizuara qëndrimet me praninë ushtarake dhe partnerët e QUINT-it për shtim të masave të sigurisë brenda vendit është dashur që të kërkohet menjëherë që FSK të kompletohet me të gjitha kapacitetet ushtarake dhe jo të bëhet vonë sikurse procesi në Ukrainë“, tha ai.

Sipas tij invazioni rus në Ukrainë ka krijuar një ambient i favorshëm për të rritur ambiciet serbe karshi Kosovës.

“Serbisë kurrë nuk e ka fshehur ambicien e vetë ndaj Kosovës e aq më tepër për të shkaktuar ndonjë trazirë dhe turbullirë në veri e ka punën më të lehtën. Prandaj, kjo situatë që është krijuar dhe kjo turbullirë që është krijuar me zhvillimet në Ukrainë do të jetë një ambient i favorshëm për të rritur ambicient e ccmendura të disa gjeneralëve që nuk janë të paktë dhe që janë shpërfaqur vazhdimisht në Serbi dhe në afërsi të kufirit të Kosovës por edhe vetë udhëheqjes serbe”, theksoi Berisha./Shqip.com