Ish-komandanti Kastrati: Buxheti prej 100 milionë s’mjafton për FSK-në

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, vlerëson se buxheti prej 100 milionë euro për FSK-në nuk është i mjaftueshëm, transmeton Shqip.com.
Kështu është shprehur ai derisa komentoi rritjen e buxhetit, i cili deri më tani ishte rreth 60 milionë euro.
“Është një nismë e mirë pasi deri tani ushtria ka pas një buxhet modest prej rreth 60 milionë euro dhe këto kanë mjaftuar vetëm për paguar pagat dhe mëditjet, shërbimet mbështetëse dhe asesi për blerjen e pajisjeve apo armatimeve më të sofistikuara që janë të planifikuara sipas ligjeve që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018”, ka thënë Kastrati, raporton Klan Kosova.
Ai më tej bëri të ditur se pritjet e tij janë që Qeveria e Kosovës ta ketë prioritet mbrojtjen dhe sigurinë.
“Mirëpo, është një nismë e mirë që në vitin 2022 të rritet numrin e ushtarëve sa është i parashikuar prej 5000 aktivë dhe 3000 rezervë. Ne e dimë që tani kjo Forcë ka diku rreth 3500 pjesëtarë dhe është shumë larg arritjes së këtij numri që është i planifikuar”, deklaroi Kastrati.
“Pres që në të ardhmen Qeveria e Kosovës – cilado që të jetë do duhej ta ketë prioritet numër një mbrojtjen dhe sigurinë pasi pa këto të dyja nuk do të ketë siguri as për vendin dhe as qytetarët”, përfundoi ai.
Ditë më parë është miratuar buxheti i Kosovës për vitin 2022 në shumë prej 2 miliardë e 748 milionë euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas kësaj mbledhje bëri të ditur se janë ndarë 100 milionë euro për ushtrinë apo 1.3 përqind të bruto produktit vendor.
“Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor, andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej 100 milionë euro apo 1.3 përqind të bruto produktit vendor e synimi ynë është që këtë ta sjellim në 2 përqind të bruto produktit vendor”, ka thënë ai. /Shqip.com