Lajme

Ish-drejtoresha e Kadastrit në Klinë dhe tre asamblistë janë dënuar me një mijë e 200 euro

Foto ilustruese
Foto ilustruese

Ish-drejtoresha e Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronësisë në Komunën e Klinës, Njomza Grabanica, asamblistët Avni Gashi, Xhevxhet Berisha dhe Shqipnora Dauti janë dënuar me një mijë e 200 euro – me nga 300 euro gjobë secili, përcjell Shqip.com.

Ata janë dënuar për shkak se nuk e kanë deklaruar me kohë pasurinë në Agjencinë Antikorrupsion, raporton Betimi për Drejtësi.

Komuna e Klinës.

Grabanica është dënuar me 300 euro gjobë dhe ndalim të ushtrimit të pozitës zyrtare pasi e kishte pranuar fajësinë se nuk kishte deklaruar me kohë pasurinë.

Sipas aktakuzës, e pandehura derisa ishte në pozitën e Drejtoreshës së Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronësi në Komunën e Pejës kishte deklaruar pasurinë me vonesë dhe jashtë afatit ligjor dhe atë me 30 qershor 2020.

Edhe asamblisti i Aleancës Kosova e Re, Avni Gashi, është dënuar me 300 euro gjobë dhe ndalim i ushtrimit të funksioneve zyrtare për një vit. Ai në proces gjyqësor e kishte pranuar fajësinë pas leximit të aktakuzës nga prokurori i cili kishte propozuar ndalimin e funkisoneve zyrtare ndaj të pandehurit.

Gashi akuzohet se kishte deklaruar pasurinë me dhjetë ditë vonesë në kundërshtim me ligjin dhe afatet ligjore.

Gjykata e Klinës e ka gjykuar edhe asamblistin e Vetëvendosjes, Xhevxhet Berisha.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Sabrije Rraci, i pandehuri është gjykuar me 300 euro gjobë, të cilin detyrohet ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh, pasi që aktgjykimit të bëhet i formës së prerë. Ndaj tij, nuk ka shqiptuar ndalimin e ushtrimeve të funksioneve zyrtare. Berisha akuzohet se kishte deklaruar pasurinë me 11 ditë vonesë.

Gjykata e Klinës e ka gjykuar me 300 euro gjobë edhe asamblisten e PDK-së të Kuvendit Komunal në Klinë, Shqipnora Dauti, e cila nga Prokuroria e Pejës akuzohet se nuk kishte deklaruar pasurinë brenda afatit ligjor.

Deri tek ky dënim kishte ardhur, pasi e pandehura kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë.

Dënimin me gjobë, e pandehura është detyruar të paguaj brenda afatit prej 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Ndaj saj, Gjykata e Klinës nuk ka shqiptuar dënimin plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve zyrtare.Dauti akuzohet se ka deklaruar me vonesë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ajo ka deklaruar pasurinë më 29 qershor 2020 derisa afati ka qenë deri më 31 mars.

“Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal, parasheh dënim me gjobë ose me burg deri në 3 tri vjet./SHQIP.com