Sport Ndërkombëtar

Iranianët u dorëzuan përpara presionit dhe kënduan himnin kombëtar, skenat zemërthyese nga tribuna po bëjnë xhiron e botës

Në raundin e parë të Kupës së Botës në Katar, futbollistët iranianë nuk e kënduan himnin kombëtar para ndeshjes kundër Anglisë, por sot, para ndeshjes kundër Uellsit, ata e ndryshuan vendimin dhe shumë nga tifozët e tyre u filmuan duke qarë në shkallët e stadiumit.

Në prag të ndeshjes kundër Anglisë, futbollistët iranianë refuzuan të këndonin himnin kombëtar për të protestuar për vdekjen e bashkatdhetares së tyre Mahsa Amini (22), e cila u ndalua nga policia e shtetit për shkelje të kodit të veshjes, pas së cilës ajo vdiq në paraburgim.

Vdekja e Aminës ngjalli pakënaqësi të madhe në mesin e iranianëve. Fillimisht u shpreh në rrjetet sociale dhe gjithçka shkoi aq larg sa që edhe futbollistët nuk pranuan të këndonin himnin kombëtar në ndeshjen kundër Anglisë.

Mirëpo, pas presionit të autoriteteve vendase, para fillimit të ndeshjes kundër Uellsit, ata ndryshuan vendimin dhe kënduan himnin kombëtar dhe disa tifozë në tribuna qanë në atë moment dhe shumë shpejt reagimet e tyre u publikuan në rrjetet sociale.

Gjithashtu, një numër i madh i tyre, nga ana tjetër, kanë vazhduar protestën dhe kanë vërshëllyer himnin e vendit të tyre.

Protestat në Iran kanë nisur që prej datës 16 shtator dhe ditën e djeshme, gjatë stërvitjes së skuadrës së tij, është arrestuar një futbollist i kombëtares iraniane, Voria Ghafouri (35), pikërisht me akuzën e përhapjes së propagandës kundër Republikës Islamike.

Kujtojmë që pjesa e parë e sfidës mes Uellsit dhe Iranit është mbyllur në barazim 0-0.

/Shqip.com