Lajme

IPK dyshon se pati rrjedhje të informacioneve nga zyrtarë policorë gjatë aksioneve në veri

Policia e Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës po dyshon që mund të ketë rrjedhje të informacioneve nga zyrtarë policorë lidhur me aksionet në Mitrovicën Veriore, përcjell Shqip.com.

Kushtrim Hodaj, kryeshef ekzekutiv në IKP, tha se dyshon që këto informacione po dalin pasi para zhvillimit të aksioneve në atë pjesë, po përfshihen agjenci të ndryshme të sigurisë dhe sundimit të ligjit.

“Dyshojmë që ka pas rrjedhje të informacioneve për shkak se në momentin që ka arritur policia në lokacionet për të cilat ata kanë qenë të destinuar të bastisen del që informacionet kanë qenë paraprakisht të personat e dyshuar dhe nuk janë gjetur në vendin e caktuar”, tha ai për RTK-në.

Tutje, ai bëri të ditur se kanë marrë lejen nga Prokuroria e Shtetit për të filluar hetimet ndaj policëve që dyshohet se janë përfshirë në shpërndarjen e informacioneve.

“Ne kemi filluar disa hetime, disa autorizime prej prokurorëve që të zhvillojmë hetime në drejtim të zbulimit se kush i ka nxjerrë këto informacione. Sigurisht që mund të ketë zyrtarë të inkriminuar në rrjedhje të informacionit”, shtoi ai.

Ndryshe, gjatë vitit 2021, Policia e Kosovës ka ndërmarrë disa aksione në komunat veriore të Kosovës lidhur me kontrabandimin e mallrave./SHQIP.com