Kulturë

Intervistë: Kliton Nesturi, detyra e një autori mbaron kur vepra botohet, më pas është lexuesi që zgjedh

Kliton Nesturi / Prozator, poet, publicist dhe dramaturg
Kliton Nesturi / Prozator, poet, publicist dhe dramaturg

Kliton Nesturi, tashmë është emër i njohur në letërsinë shqipe dhe jo vetëm. Prozator, poet, publicist dhe dramaturg, Kliton Nesturi është një ndër autorët më autentik, i cili mendimin e artikulon bindshëm dhe argumentueshëm, gjë që e bënë krejtësisht të veçantë në letrat shqip.

Padyshim që, krijimtaria e tij shquhet për larmi temash dhe zhanresh, në të cilat lexuesi ndesh fatin e mjaft personazheve, që në jo pak herë është edhe vetë autobiografia e  tij.

Në këtë kontekst, pyetjet e trajtuara në këtë intervistë i qasen kryesisht çështjeve që lidhen me letërsinë, tematikën, artin poetik, publicistikën, për sfidat, për raportin mes shkrimtarit me lexuesit, letërsisë dhe medias, për prezantimin e letërsisë shqipe jashtë kufijve shqiptarë, për pranishmërinë e letërsisë së Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas, por mbi të gjitha, krijojnë një ndjenjë të bukur e një peshë të veçantë për secilin lexues.

Shqip.com: Po e nisim këtë intervistë fare thjeshtë: Si lindi ideja për t’u merr me shkrime, apo si erdhi tek ju letërsia?

Kliton Nesturi: Së pari, ju falënderoj për intervistën, vëmendjen dhe dëshirën!

Unë kam shkruar herët. Mbaj mend se poezinë e parë kam shkruar diku nga mosha dymbëdhjetë-trembëdhjetë vjeç, e më pas vazhdova të shkruaja kur isha në shkollën e mesme, por jo me idenë për t’iu përkushtuar letërsisë. Dëshira ime në atë kohë ishte të bëhesha aktor ose regjisor teatri. Letërsinë e zgjodha përfundimisht kur vendosa të vazhdoja studimet e larta dhe hyra në Fakultetin e Histori-Filologjisë, në degën e gjuhë-letërsisë dhe qysh prej asaj kohe nuk jam ndarë më prej saj. Tashmë u bënë më shumë se tre dekada që jemi së bashku.

Shqip.com: A mendoni se nga ato zhanre letrare që i shkruani (prozë, dramë, tregime), poezia është dhuntia juaj?

Kliton Nesturi: Nuk do ta thosha këtë. Unë i dua të gjitha gjinitë në të cilat shkruaj. Në të gjitha ato jam unë, me zemrën, shpirtin dhe me mendimet e mia. Juve mund t’ju duket kështu, pasi sidomos gjatë pesë viteve të fundit kam publikuar shumë poezi. Kjo periudhë ka qenë një testim për librin tim me poezi, i cili doli nga botimi së fundmi. Shumica e poezive të librit “I lindur bohem” kanë qenë gati me kohë dhe plani im ka qenë të botoheshin në vitin 2020, por rënia e pandemisë më bëri që ta shtyja publikimin e kësaj vepre, e cila deri sa erdhi në versionin final u pasurua edhe me poezi që janë shkruajtur deri në muajt e fundit. Te “I lindur bohem” janë përmbledhur poezi të shkruara njëzet e gjashtë vitet e fundit dhe besoj se me këtë libër kam kristalizuar me qartë profilin tim poetik dhe krijues.

Planet e mia të së ardhmes janë kryesisht në prozë. Prozën e dua shumë, qoftë tregimet apo prozën e gjatë. Në to arrij të shprehem në mënyrë më të plotë dhe besoj se, deri tash, me atë çka kam shkruar e botuar, diçka kam lënë.

Shqip.com: Merreni edhe me publicistikë. Cila është ajo tërësia e shkrimeve që trajtoni në artikujt publicistikë?

Kliton Nesturi: Unë kam patur fatin e madh që shkolla ime e publicistikës ka nisur në gazetën “Rilindja” në Tiranë, qysh prej vitit 1994 e deri sa ajo u mbyll pas Luftës së Kosovës. Sidomos me miqësia me poetin dhe kritikun Ramadan Musliu, por edhe me të tjerë publicistë dhe poetë që kanë punuar aty si Ramush Tahiri, Skënder Zogaj, Bedri Sadiku, Mehmet Gjata etj., ka qenë një përvojë e madhe. Gazeta “Rilindja” e Tiranës ishte vërtetë një shkollë dhe unë jam shumë krenar që i përkas kësaj shkolle. Gjatë asaj kohe kam krijuar kontaktet e para me mjaft miq, veçanërisht të botës së artit, kulturës dhe letërsisë, të cilat i ruaj dhe i çmoj edhe sot. Edhe më pas kur kam punuar apo bashkëpunuar në mediume të ndryshme, kam mësuar shumë. Ka qenë një kohë e vështirë, por e bukur. E gjithë kjo përvojë është një pasuri e madhe, të cilën e ruaj me fanatizëm.

Në publicistikë kam mësuar spektrin e analizës së thellë dhe të shprehurit hapur. Analizë e thellë nuk nënkupton detyrimisht vendosjen e fokusit në një hapësirë të madhe rreshtash dhe faqesh. Mjafton të depërtosh në objektin e analizës sa më thellë, deri në palcë, dhe të jesh i koncentruar në mendimet e tua. Ky është thelbi i analizës moderne, të cilën e kam mësuar qysh herët.

Nëse do të bëja një rikthim në kohë, do të shihja mjaft shkrime e sidomos analiza për vepra letrare dhe dukuri të ndryshme sociale, kulturore dhe zhvillime të tjera.

E gjithë kjo përvojë më ndihmoi më pas në shkrimin dhe botimin e esesë monografike “Gjergj Bubani, i harruari i përkohshëm”, kushtuar këtij publicisti, poeti dhe përkthyesi brilant që e zhvilloi aktivitetin e tij në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Në lidhje me këtë, mund t’ju them diçka që e dinë shumë pak prej miqve të mi. Pati shumë nga ata që më thanë që me këtë vepër të mbroja doktoraturën akademike në Universitetin e Tiranës, por unë e refuzova vazhdimisht. Arsyeja ishte se të gjithë pedagogët e mi nuk ishin më dhe në Fakultet kishin ardhur të rinj dhe më të rinj se unë.

Nuk hyj në radhën e atyre që e bëjnë diçka sepse duhet bërë.

Shqip.com: Më tej, a mund të na e thoni metodologjinë, rregullat e punës suaj krijuese?

Kliton Nesturi: Unë nuk jam prej atyre autorëve që shkruajnë çdo ditë. Kam plot ide, dhe gjithmonë i selektoj dhe i përpunoj brenda vetes time për një kohë të gjatë, madje dhe atëherë kur mund të dukem sikur nuk më intereson asgjë. Por çdo projekti i zgjedh kohën e përshtatshme të realizimit, duke e lënë të ngjizet mirë brenda meje. Më pas ulem dhe punoj i përqendruar deri sa përfundoj draftin e parë, i cili për mua është kryesori. Më pas, për periudhë të caktuar, konsultohem me miqtë e mi që e njohin prej kohësh krijimtarinë time, por edhe temën për të cilën shkruaj, e pas këtyre shoshitjeve ulem të përfundoj draftin final.

Nga përvoja kam mësuar që të mos nxitohem. Asnjëherë nuk rend që të botoj sa më shpejt. Çdo vepër do kohën e vet që të shkojë tek lexuesi dhe të bëjë jetën e saj.

Shqip.com: Rrugëtimi i juaj duhet të jetë një përvojë e vlefshme, sidomos bashkëpunimi me lexuesin. Sa mendoni se jeni i pranishëm tek lexuesit?

Kliton Nesturi: Gjithmonë e kam respektuar dhe e respektoj lexuesin. Çdo autor në botë krijon me lexuesin e tij një raport të sinqertë, fillimisht me veprën që ai shkruan, e më pastaj me kontaktet që ai krijon me lexuesit e tij. Janë ata që e prekin dhe lexojnë veprën tënde dhe e thonë hapur mendimin e tyre. Mund të ndodhë që mendimet mes autorëve dhe lexuesve mund të mos jenë plotësisht të njëjta ose mund të jenë të kundërta, por ato duhen respektuar dhe vlerësuar.

Personalisht jam i lumtur që jam i pranishëm tek lexuesi me veprën time dhe kjo dëshmohet edhe me mirëpritjen dhe vëmendjen që ai ka ndaj meje dhe veprës time, si në ambiente të ndryshme ashtu edhe në librari. Nëse një lexues shkon në librari dhe të kërkon, kjo do të thotë shumë. Për mua lexuesi i librarisë është i rëndësishëm, pasi ai të tregon vëmendjen për gjatë gjithë vitit. Unë e kam arritur këtë.

Ka autorë të tjerë që mendojnë dhe tentojnë të kapin lexuesin sidomos gjatë panaireve të librit. Për mua kjo është e papranueshme. Panairet e librave nuk janë panairet e autorëve, por të botuesve dhe këtu ngatërrohen gjërat. Letërsia nuk është tregti. Detyra e një autori mbaron kur vepra botohet, më pas është lexuesi që zgjedh.

Shqip.com: Në këtë kontekst, cili mendoni se është raporti i shkrimtarit me lexuesin?

Kliton Nesturi: Lexuesi është shumë i rëndësishëm. Nuk ka zhvillim të letërsisë nëse nuk ka lexues. Një shkrimtari i takon të shkruajë për temat dhe idetë që e shqetësojnë atë vet por edhe lexuesin. Arti dhe letërsia, në vetvete, prodhojnë katarsis dhe e bëjnë jetën individuale dhe sociale më të paqtë dhe më të ndërgjegjshme. Krijimi i një raporti të ndërsjelltë shkrimtar-lexues, duke vendosur mes palëve një marrëdhënie komunikimi, është i shumë i dobishëm. Pa një raport të tillë, vështirë se gjithçka mund të funksionojë.

Shqip.com: Gjithashtu, prej më se tridhjetë vjetësh jeni pjesë edhe e medias shqiptare. Marrë në këtë aspekt, cili është raporti mes letërsisë dhe medias?

Kliton Nesturi: E kam filluar rrugëtimin tim në media në fund të vitit 1991 në Radio Tirana dhe qysh prej atëherë kam qenë pjesë e medias së shkruar dhe asaj televizive. Tek unë media dhe letërsia bashkëjetojnë fort me njëra-tjetrën, aq sa në periudha të caktuara ato griden mes tyre se kush të jetë më shumë në qendër të vëmendjes tek unë. Kam qenë me fat sepse kjo bashkëjetesë e ngushtë me ka ndihmuar shumë në punën dhe krijimtarinë time. Koha ime ditore është e pandashme prej tyre.

Shqip.com: Çfarë raporti keni me bibliotekën tuaj? A mund të na e përshkruani pak atë?

Kliton Nesturi: Raportin me bibliotekën e kam pasur gjithmonë të ngushtë, qysh kur isha fëmi. Atëherë edhe në shkolla funksiononin bibliotekat, e po ashtu edhe ato të lagjeve. Kultura ime e leximit ka nisur pikërisht nga bibliotekat. Gjithmonë më pëlqente të lexoja libra që ishin për një moshë pak më të madhe se unë. Në shtëpi kemi pasur një bibliotekë shumë të mirë. Im atë ishte lexues sqimatar dhe në bibliotekën tonë kanë qenë edhe shumë botime të vjetra dhe vepra shumë të bukura. Fatkeqësisht, një pjesë e tyre humbën gjatë periudhave të ndërrimit të banesës, apo edhe nga mirëbesimi ndaj të tjerëve. Më dhemb shumë kur e kujtoj këtë gjë, ashtu siç më dhemb që në atë periudhë, bashkë me to, më humbi edhe një fletore e trashë ku kisha pozitë që kisha shkruar gjatë shkollës së mesme.

Tashmë biblioteka ime është një ndërthurje mes librave të vjetër të dikurshëm të familjes dhe asaj pjese që kam krijuar vet, sidomos tre dekadat e fundit. Në dhomën time librat janë kudo, jo vetëm në rafte. Sado që përpiqem që t’i sistemoj, ato shtohen vazhdimisht.

Shqip.com: Secila përvojë jetësore është origjinale në llojin e vet, dhe letërsia, për fat, të ofron këndvështrime të panumërta. Çka ju ka preokupuar më shumë apo më mirë të themi cilat janë ato tema në krijimtarinë tuaj letrare?

Kliton Nesturi: Secili autor, qoftë artist apo shkrimtar, zgjedh temat dhe epokën që e sheh më të përshtatshme. Unë kam zgjedhur t’i përmbahem temave njerëzore dhe sociale të epokës në të cilën jetoj. Gjithmonë jam i mendimit se, veçanërisht një shkrimtar, shkruan për gjërat që di dhe njeh më mirë.

Shqip.com: Çka mendoni se e zhvillon dhe pasuron letërsinë shqipe? Marrë në këtë kontekst, sa mendoni se ka shtrirje jashtë kufijve shqiptarë letërsia shqipe?

Kliton Nesturi: Në radhë të parë them se letërsinë shqipe e zhvillon dhe e pasuron letërsia e vërtetë, ajo letërsi që mbetet edhe për brezat që vijnë. Është kjo lloj letërsie që duhet të kalojë dhe të shoshitet në fokusin e kritikës së vërtetë, e cila mungon më së shumti fatkeqësisht. Një vepër e shkruar bukur hyn në fondin e letërsisë së vërtetë. Më pas, koha e përcakton jetëgjatësinë e saj.

Gjithmonë kam parasysh shprehjen e Gëtes: “Koha e letërsisë kombëtare ka mbaruar. Ka ardhur koha e letërsisë botërore”. Ne jetojmë pikërisht në këtë kohë.

Në lidhje me pyetjen e dytë, mendoj se pavarësisht se çfarë themi e se si na pëlqen, letërsia shqiptare, njihet shumë pak jashtë kufijve shqiptarë. E them këtë, duke pasur parasysh numrin e madh të autorëve të mirë që kemi, veprat e të cilëve janë konkurruese në nivele të larta ndërkombëtare.

Mendoj se letërsia dhe autorët shqiptarë përballen me dy çështje. E para, është problemi i gjuhës. Duke qenë një gjuhë e vogël, shqipja flitet nga pesë apo gjashtë milionë njerëz më së shumti. Si e tillë, vëmendja ndaj saj është e vogël edhe kur bëhet fjalë për përkthyes profesionistë. Janë shumë pak përkthyes sot në botë që njohin gjuhën tonë dhe janë të aftë ta përkthejnë cilësisht një vepër letrare. Në epokën e sotme, të gjithë po rendin pas gjuhëve dhe kulturave të mëdha.

E dyta. Duke mos qenë një faktor gjeo-strategjik, vëmendja e botuesit dhe e lexuesit të huaj ndaj letërsisë shqiptare është minore, ose e papërfillshme.

Shqip.com: Krejt në fund, letërsia shqipe e Kosovës është më pak e pranishme në Shqipëri, kurse letërsia që vjen prej andej e dominon tregun e Kosovës. Çka mendoni ju për këtë dukuri?

Kliton Nesturi: Personalisht nuk e ndaj letërsinë shqipe në të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut apo të diasporës. Nuk më pëlqen teoria e ndarjes. Për mua letërsia shqipe është një e gjitha.

Duke e shtjelluar më shumë pyetjen tuaj, them se ato që dominojnë tregun janë veprat që kalojnë sa nga një anë, në anën tjetër të kufirit. Kam vënë re, sidomos në Prishtinë, që ka një lulëzim të librarive të hapura vitet e fundit, me hapësira të mëdha dhe me arkitekturë e dizajnime të spikatura. Edhe tek ato mungojnë vepra të autorëve nga Shqipëria. Kam hyrë vet dhe kam pyetur.

Kjo nuk është çështje e dëshirës personale. Ky problem është më i thellë dhe ai që vuan më shumë është autori, i cili gjithmonë synon që vepra e tij të ketë sa më shumë lexues. Problemi fillon me mospasjen e një tregu të unifikuar shpërndarjeje ndërmjet nesh. Pra, nëse një vepër del sot në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Pejë, Gjakovë apo Rahovec, në të njëjtën ditë ajo do të shkojë edhe në libraritë e Tiranës, Fierit, Korçës, Vlorës, Shkodrës, Shkupit apo Ulqinit dhe anasjelltas. Një rrjet i tillë do ti jepte më tepër vlerë tregut letrar. Këtu duhet bashkërendimi i politikave vizionare që shohin më shumë se sa një valle e kapur dorë për dore.

Pjesë tjetër e këtij problemi është mungesa e agjencive të autorëve, të cilat si kudo në botë, merren jo vetëm me botimin e autorëve por edhe promovimin e tyre nëpër media dhe aktivitete të ndryshme, madje edhe në hapësirat ndërkombëtare. Ne nuk kemi agjenci të tilla. Deri më sot autorët shqiptarë funksionojnë duke bërë lidhje të shkurtër me botuesin, ndërsa pjesën e promovimit e menaxhojnë vetë. Kjo është sa strapacuese, aq edhe paradoksale në këtë epokë globaliste ku jetojmë.

Agjencitë kanë filtrat e tyre të kuotimit e të promovimit autorëve dhe çdo lloj zhanri të letërsisë që shkruhet dhe botohet.

Nëse nuk i zgjidhim drejt dy pikat e këtij problemi, do të jemi secili brenda kufirit të vet dhe do të luajmë si fëmijët duke ia hedhur topin njëri-tjetrit në distancë.

/Shqip.com