Kulturë

Intervistë / Ilire Zajmi: Letërsia mbetet një mohikan i fundit i thellësisë dhe nuancave

Ilire Zajmi / Poete, shkrimtare, gazetare...
Ilire Zajmi / Poete, shkrimtare, gazetare...

Ndër shkrimtaret e pakta që në letrat bashkëkohore shqiptare po lë vepra moderne që dallojnë për vlerat e tyre estetike dhe krejtësisht origjinale është shkrimtarja e njohur Ilire Zajmi.

Është tepër modeste në shkrim e në jetë, duke qenë e përkushtuar me tërë qenien e saj në të mirën e përgjithshme. Asnjëherë nuk e mori si mburrje krejt atë çka ka bërë si gazetare e përkthyese për mediet e huaja që kanë raportuar nga lufta e Kosovës.

E njohur fillimisht si shkrimtare e gazetare, Zajmi qysh në vitet e ’90 debutoi në letërsi me poezi. Pra, prej kohësh shkruan edhe prozë, të gjatë e të shkurtër, si dhe merret me përkthime letrare nga gjuha angleze dhe italiane.

Gjithashtu, Ilire Zajmi është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe e PEN qendrës.

Ndaj, kolana e botimeve të Ilire Zajmit, tashmë zë një vend të veçantë në letrat shqipe.  


Shqip.com: Po e nisim këtë intervistë rreth librave poetik. Tashmë jeni e dëshmuar për një stil krejtësisht origjinal. Në qendër është gruaja, pasioni dhe sidomos dhembja e saj. Çka shihet brenda, cila është lënda e tyre?


Ilire Zajmi:
Në poezitë e mia dominojnë tri temat që trajton letërsia e përbotshme: jeta, dashuria e vdekja. Te jeta e dashuria, poezitë që për motiv kanë gruan zënë një vend të veçantë në librat e mi poetik.

Poeti nuk mund t’i shmanget realitetit dhe kohës në të cilën jeton, e kjo natyrisht se reflekton edhe në atë që krijon. Besoj se ky realitet pasqyrohet qartë në poezitë e mia, me synimin që, përmes motiveve dhe temave të shtjelluara, të shënjohet një mendësi, që stigmatizon, shpesh vret, godet ashpër dhe e konsideron gruan si qenie të dobët, pronë të dikujt, qenie pa dinjitet, ose peng të zakoneve primitive. Pikërisht këtu vë theksin te poezitë e mia, me idenë që kjo qasje të ndryshojë. Temat e tjera janë poezi  të angazhuara që trajtojnë dilemat e njeriut urban, me të gjitha të mirat e të këqijat  që e karakterizojnë.


Shqip.com: Si nisi tërë kjo sagë, kjo aventurë që do të sjell deri në lavd!


Ilire Zajmi: Kjo sagë ka zanafillën në fëmijëri, kur zbulova magjinë e librave. U dashurova pas letërsisë, një botë që më joshi pamasë dhe më bëri për vete deri në atë shkallë, sa u bëra pjesë e saj, duke shkruar fshehurazi me frikën se po bëja ndonjë krim.

Ky “mëkat” i imi i pazbuluar, doli në dritë kur një poezi e imja të cilën e kisha dërguar në fshehtësi për botim, u publikua në revistën e atëhershme për fëmijë “Pionieri”. Atëherë nisi rrugëtimi im në botën e madhe të shkrimtarisë, rrugëtim që vazhdon edhe sot e kësaj dite.


Shqip.com: Përmbledhja juaj e parë poetike është “Këmbanat e mëngjesit” (1991). Cila ishte ideja e tij ngjizëse, cilat ishin përpjekjet tuaja për ta botuar, kur dihen vështirësitë e mëdha që has një shkrimtare e re, aq më tepër në moshë shumë të re?


Ilire Zajmi: Libri im i parë “Këmbanat e mëngjesit” ishte sprova e parë letrare, kur isha shume e re në moshë dhe ëndërroja të bëhesha poete me nam. Prandaj mblodha poezitë e botuara nëpër revistat e kohës si “Zëri”, “Fjala” “Kosovarja” “Rilindja” për ti bërë bashkë në një vëllim poetik. Gjetja e botuesit ishte problem i madh në atë kohë, kuptohet, pasi “Rilindja” ishte mbyllur e pak shtëpi botuese funksiononin. Klubi 92, një shtëpi botuese prizrenase e cila drejtohej nga profesori e miku im Yrjet Berisha, e botoi librin pa asnjë hezitim. Profesori Yrjet më kishte mbështetur dhe nxitur në botimin e librit, pasi besonte në talentin tim.   


Shqip.com: Po ashtu, brenda gamës së temave (në prozë) që prekni nga realiteti është tema e luftës, atdhedashurisë, temat sociale, tema tejet të ndjeshme dhe të thekshme. Çfarë roli luajnë këto tema në shkrimësinë tuaj?


Ilire Zajmi: Këto tema luajnë një rol të veçantë në shkrimet e mia, pasi shumë nga rrëfimet dhe ngjarjet e paraqitura në libra janë të jetuara dhe burojnë nga përvoja e punës sime si gazetare e përkthyese për mediet e huaja që kanë raportuar nga lufta e Kosovës. Roli i tyre në radhë të parë është dokumentues, pasi përmes tyre kam dashur ti tregoj lexuesit shqiptar dhe atij të huaj për luftën e Kosovës, tregimet e njerëzve që kanë qenë viktima të kësaj lufte, një e kaluar jo fort e largët pasojat e së cilës ndihen akoma dhe plagët ende s’janë mbyllur. Në një botë të zotëruar nga teknologjia  që vë në harresë  pothuajse gjithçka me shpejtësi drite, është shumë e rëndësishme të lëmë gjurmë kujtese. Këtë rol ka letërsia, që të shkruhet për gjërat që do ti mbijetojnë kohës dhe do të mbeten një lloj trashëgimie për brezat e ardhshëm. Ky është edhe misioni i shkrimit të këtyre librave. Të mos harrohet e kaluara. 


Shqip.com: I ktheheni një herë apo shumë herë frazës apo paragrafit që shkruani, duke bërë limimet e duhura deri sa të mos keni gjë më për të bërë, apo shkruani me një frymë dhe i ktheheni më vonë tekstit për ta riparë?


Ilire Zajmi: Procesi i të shkruarit është shumë kompleks. Ndodh që shkruaj një paragraf të vetëm dhe e fshij menjëherë, pasi ndihem se nuk është ajo çfarë kam dashur të them, mirëpo ka raste kur shkruaj dhe e lë “të fle” dorëshkrimin për një kohë, për tu thyer pastaj nga e para, duke e rishkruar apo edhe duke bërë ndërhyrjet që i konsideroj të nevojshme.   


Shqip.com: Emrat e personazheve i zgjidhni rastësisht, apo kanë lidhje organike me lëndën e veprës?


Ilire Zajmi: Pasi të kem krijuar idenë për çfarë dua të shkruaj, hulumtoj emrat e personazheve. Ato i përshtat sipas karaktereve të latuara dhe rrëfimit. Gjithashtu marrë për bazë kohën në të cilën ndodhin ngjarjet që trajtohen në libër. Vetëm kështu më duket se funksionon, sepse ka një lloj simbioze mes emrit të personazhit dhe rrëfimit që shtjellon shkrimtari.   


Shqip.com: Pas viteve ‘90, letërsinë tuaj ia keni ofruar lexuesit shqiptarë dhe jo vetëm. Sa të rëndësishëm e shihni botuesin në jetën e shkrimtarit?


Ilire Zajmi: Realisht, shkrimtari s’bën pa botuesin dhe anasjelltas. Botuesi është një ndërmjetës mes shkrimtarit dhe lexuesit. 

Botimi, në kontekstin e shkrimit, i referohet procesit të vënies në dispozicion të publikut të një vepre të shkruar nëpërmjet mjeteve të ndryshme, si libra, revista, gazeta apo platforma digjitale. Ai përfshin prodhimin, marketingun dhe shpërndarjen e veprave të shkruara dhe është një pjesë thelbësore e procesit të shkrimit, pasi u lejon shkrimtarëve të ndajnë punën e tyre me një audiencë më të gjerë.

Shkrimtari e ka të vështirë, mos të them të pamundur ti bëj të gjitha  këto hapa pa botuesin. Përveçse  publikimit të librit, botuesi është i rëndësishëm edhe për faktin se duhet të merret me shpërndarjen e librit përmes kanaleve të ndryshme, si në librari, shitës me pakicë në internet ose biblioteka, në varësi të llojit të punës dhe audiencës së synuar.

Publikimi mund të marrë forma të ndryshme, në varësi të llojit të punës dhe qëllimeve të autorit. Për shembull, disa shkrimtarë mund ta publikojnë vetë punën e tyre, duke përdorur platforma digjitale si Amazon p.sh., për t’i shpërndarë librat e tyre drejtpërdrejt te lexuesit. Të tjerët mund të punojnë me shtëpi botuese tradicionale ose agjentë letrarë për të prodhuar dhe tregtuar punën e tyre.

Në përgjithësi, botimi është një pjesë e rëndësishme e procesit të  shkruarit, duke i mundësuar shkrimtarët të ndajnë punën e tij me botën dhe të lidhet me lexuesit që mund të gjejnë vlerë dhe kënaqësi në fjalët e tyre.


Shqip.com: Nga pikëpamja juaj, çfarë e bën të veçantë krijimtarinë tuaj letrare në raport me të tjerë libra të brezit tuaj dhe jo vetëm?


Ilire Zajmi: Është një pyetje që ndoshta më mirë do ti përgjigjeshin kritikët e studiuesit e letërsisë apo edhe lexuesit e librave të mi.

Megjithatë, si shkrimtare besoj se krijimtarinë letrare e bëjnë të veçantë temat që trajtoj, dukuritë dhe fenomenet të cilat janë shtjelluar, origjinaliteti, si dhe përkthimi i krijimtarisë sime në disa gjuhë të huaja.       

Shqip.com: Jeni pjesëmarrëse në festivale të ndryshme ndërkombëtare të poezisë dhe po ashtu fituese e shumë çmimeve. Çfarë rëndësie kanë për ju si krijuese?


Ilire Zajmi: Pjesëmarrja në festivale është e një rëndësie të veçantë për secilin krijues. Festivalet janë ura lidhëse mes kulturave e gjuhëve të ndryshme, janë mundësi shumë e mirë për të njohur letërsinë që krijohet jashtë kufijve kombëtar.

Njëkohësisht kontaktet me shkrimtarë, botues etj. Përveçse të sjellin mundësi të reja për pjesëmarrje në ngjarje të ndryshme letrare, njëkohësisht edhe të hapin rrugë në përkthimin e  punës tënde krijuese në gjuhë të tjera. Është ndjenjë e mirë të ftohesh në festival ndërkombëtare, të bën të ndjehesh e vlerësuar, edhe pse vjen nga një letërsi e vogël dhe vështirë e depërtueshme.  


Shqip.com: Në pyetjen e radhës, a mund dhe a duhet të jetë letërsia një mjet ndikues në shoqëri?


Ilire Zajmi: Ndikimi i letërsisë në shoqëri është i pamohueshëm.

Letërsia ka pasur gjithnjë një ndikim të madh në zhvillimin e shoqërisë. Ajo ka formësuar qytetërimet, ka ndryshuar sistemet politike dhe ka ekspozuar padrejtësitë.
Ka nxitur revolucion edhe ka krijuar lëvizje filozofike.
Librat me ndikim kanë ndriçuar mendjet, kanë ndikuar në politika dhe kanë ndryshuar rrjedhën e historisë.
Letërsia na jep një pamje paraprake të detajuar të përvojave njerëzore, duke na lejuar të lidhemi në nivelet bazë të dëshirës dhe emocioneve.
Ajo e konfirmon kompleksitetin e vërtetë të përvojës njerëzore.
Letërsia shërben gjithashtu si një mjet për ruajtjen e kulturës. Mitet, përrallat e legjendat, të përcjella brez pas brezi, kanë mbajtur të gjalla traditat, kanë nxitur ndjenjën e identitetit. Ajo i ka lidhur njerëzit me rrënjët e tyre dhe me njëri-tjetrin, duke krijuar një ndjenjë të përbashkët identiteti kulturor.
Natyrisht  se ndikimi i letërsisë shtrihet përtej sferës emocionale identitare e kulturore.
Në shkolla e universitete, letërsia duhet të shërbejë si një mjet edukativ, duke nxitur ndjeshmërinë, mendimin kritik dhe kreativitetin. Të hap mendjet ndaj këndvështrimeve të ndryshme, të inkurajojë reflektimin dhe ndërtimin e një baze për të mësuarit gjatë gjithë jetës.
Në një botë të dominuar gjithnjë e më shumë nga rrjetet sociale dhe konsumerizmi, letërsia mbetet një mohikan i fundit i thellësisë dhe nuancave.


Shqip.com: Për në fund, një pyetje, që duket, si e pashmangshme: ç’je duke punuar tani, në këto çaste?


Ilire Zajmi: Më kanë mbetur peng pa i trajtuar temat e fëmijërisë, raportet prindër-fëmijë në një kohë të trazuar shoqërore, prandaj tani i jam kthyer një dorëshkrimi të hershëm në këtë temë dhe po punoj në të.    

/Shqip.com