Instituti GAP: Ministria e Financave realizoi vetëm 2 % të buxhetit për investime kapitale

Instituti për Studime të Avancuara (GAP), pas publikimit të raporteve për shpenzimet buxhetore të Qeverisë dhe atë për Shkallën e realizimit të investimeve kapitale nga niveli qendror dhe ai lokal, sot ka publikuar edhe të dhënat për realizimin e buxhetit të ministrive të Qeverisë Kurti II për investime kapitale gjatë vitit 2022.
Sipas këtyre të dhënave, del se Ministria e Financave (+kontigjencat për kapitale), e drejtuar nga Hekuran Murati, ka realizuar vetëm 2 % të buxhetit për investime kapitale gjatë vitit 2022.
Po sipas këtij raporti, janë edhe dy ministritë tjera që lidhen me financa, ajo e Industrisë (16 %) dhe e Ekonomisë (38 %), që përbëjnë tri prej ministrive me performancën më të dobët për sa i përket realizimit të buxhetit për investime kapitale.

Ministria e Bujqësisë, e drejtuar nga ministri Faton Peci, është e fundit për sa i përket ministrive më të suksesshme (82 %), kurse në krye të kësaj liste, me performancën më të mirë del të jetë Ministria për Komunitete dhe Kthim (98 %), e drejtuar deri vonë nga Goran Rakiqi i Listës Serbe, kurse tash nga Nenad Rashiqi.
Në pesëshen e ministrive me performancën më të mirë janë edhe ministria e Zhvillimit Rajonal (83 %), ajo e Drejtësisë (84 %) dhe e Mbrojtjes (96 %).
Ministria e Shëndetësisë, nën udhëheqjen e Arben Vitisë, është në mes të tabelës, me “vetëm” 56 % të buxhetit të realizuar për investime kapitale gjatë vitit 2022.
Kultura dhe Diplomacia realizuan nga 40 % të buxhetit të tyre për investime kapitale, kurse ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe MASHTI realizuan nga 67 % të buxhetit të tyre për investime kapitale.
/Shqip.com