Instalacioni “Streha”, u krijua në Fishtë, në vendin ku u strehuan kosovarët
Në vendin ku shqiptarët e Kosovës gjetën strehim, gjatë kohës së luftës, të enjten për nder të përvjetorit të Pavarësisë, u mbjellën fidanë e u krijua instalacion në Fishtë.
Për rreth 2300 persona, u strehuan në kampet e ngritura në Fishtë dhe Krajën.
E, pikërisht për këtë arsye edhe instalacioni i krijuar nga artisti Bib Frrokaj, u quajt “Streha”.
“Ideja për të krijuar diçka në përkujtim të atij kampi dhe të gjithë eksodit të madh të shqiptarëve të Kosovës, ishte e prof. Lin Shtjefnit, njëkohësisht banor i asaj zone, pra, i Fishtës ku dhe kishte qenë mësues gjatë qëndrimit të kampit në Fishtë dhe Krajen në vitin ’99.”, ka thënë ai për Shqip.com.
Gjatë kohës së strehimit të shqiptarëve të Kosovës në Fishtë, Don Antonio Sciarra, i cili ishte mbikëqyrës i kampit të Krajnit, kishte rrëfyer, momentin kur kishte takuar Lavdien, nga Kosova.
“Lavdien për herë të parë e takova në kufirin Shqipëri – Kosovë. Më afrohet këmbëzbathur me një përkthyes që më thotë se Lavdia do një palë këpucë. E shoh me çudi sepse ajo i kishte një palë këpucë në dorë, ndaj e pyes: ç’të duhen këpucët përderisa i ke? Këto këpucë janë i vetmi kujtim i familjes sime pasi janë të lara me gjakun e nënës time e unë do i ruaj kështu siç janë.
Pasi u kanë djegur shtëpinë e fshatin ku banonte familja e Lavdijes, kanë ekzekutuar babain e saj bashkë me meshkujt e tjerë të fshatit. Nëna e Lavdijes ndërsa përpiqej të shpëtonte bashkëshortin, plagoset. Udhëtojnë drejt Shqipërisë, por nëna nga plagët e marra vdes në krahët e së bijës. E detyruar të vazhdojë udhëtimin, Lavdija merr me vete këpucët e së ëmës të mbushura me gjakun e saj, i vetmi kujtim nga nëna.”
“Duke u bazuar tek kjo ngjarje që kishte ndodh, Altini Prenga, pronari i Mrizit të Zanave, më kontaktoi dhe përkrahu idenë për të krijuar diçka, një përkujtimore, një vepër arti, dhe pas shumë konsultimesh e idesh vendosëm që “Streha” ishte opsioni më i mirë që përfaqësonte në mënyrë simbolike idenë e strehimit, mbrojtjes e përkrahjes së shqiptarëve të Kosovës; si një strehë-kulm që së paku nëse s’mbron njerëz, i bashkon ata dhe kujtimet e tyre”, ka shtuar Frrokaj.
“Streha është një instalacion me një strukturë të brishtë e stoike njëherësh, minimaliste por e mjaftueshme në “funksionin” e saj parimor mbrojtës, ku vëllimi i saj arkitekturor na ofron në kuptimin e plotë të fjalës një hapësirë ndërvepruese mes veprës dhe vizitorit.” thuhet në përshkrimin e instalacionit.
Kur themi shtëpi, ajo nënkupton strehë, strehim: të qenurit i strehuar, të qenurit i mbrojtur. Na kujton një nga virtytet më të mëdha të popullit tonë shqiptar: mikpritjen, të cilën e ka dëshmuar në jo pak raste kyçe të historisë.
Me të drejtë A. Degrand Jules do thoshte: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Si rrjedhojë, ky instalacion ngrihet pikërisht mbi këto shtylla virtyte në shenjë mirënjohjeje e falënderimi të një gjesti bujar, si ai që iu bë shqiptarëve të Kosovës nga Shoqatat e Fondacionet e ndryshme humanitare të huaja në Fishtë dhe në gjithë Shqipërinë, po ashtu dhe nga gjithë ato shqiptarë që hapën dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre.
“Streha tenton të mbetet një përkujtimore e atij kampi të përkohshëm që u ngrit në pranverën e vitit 1999 pikërisht këtu dhe ka për qëllim të krijojë një semiotikë lidhëse mes kujtesës së tanishme dhe fakteve të pamohueshme të së kaluarës. Streha në vendlindjen e figurave të mëdha historike si At Gjergj Fishta, synon të bëhet pikërisht strehë e këtyre vlerave, përtej përkatësive fetare, ngjyrimeve politike e kombësie. Ajo është një kulm – strehë për familjen e madhe të ndarë padrejtësisht.”