Inspektorati Policor: Komandanti i Policisë në Veri u suspendua për dhunë në familje

Në Mitrovicën e Veriut është suspenduar nga puna Komandanti i Njësisë për Reagim të Shpejtë në veri të Mitrovicës, Uglesha Jarediq pasi që ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.
Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë për Shqip.com se dje kanë marrë informacione nga Policia e Kosovës për këtë rast.
“IPK ka pranuar dje informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Mitrovicën e Veriut dyshohet se ka kryer veprën penale dhunë në familje dhe pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke ndërmarrë disa veprime hetimore”
Nga Inspektorati kanë thënë se hetuesit në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.
Ndërsa zëdhënësi i Policisë në Veri, Besim Hoti ka thënë për Shqip.com se suspendimi i komandantit do të zgjas 72 orë. /Shqip.com