Lajme

Incidenti në “Trepçë”, Rafet Ibishi suspendohet nga ndërmarrja

Ndërmarrja "Trepça"

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Trepça”, Enis Abdurrahmani dhe drejtori i Administratës së kësaj ndërmarrjeje, Besim Haxhiu, janë sulmuar fizikisht nga një grup njerëzish të hënën.

Rasti siç është raportuar në media, ka ndodhur në objektin e “Trepçës” në Mitrovicë.

Klan Kosova i ka siguruar pamjet kur ka ndodhur sulmi ndaj menaxhmentit të ndërmarrjes “Trepça”.

Abdurrahmani e ka akuzuar ish-kryeshefin e Trepçës, Rafet Ibishin, për këtë sulm, duke thënë se kishte për qëllim dëmtimin e pronave të ndërmarrjes.

“Ne jemi sulmuar fizikisht në zyrat tona të punës nga ish kryeshefi, Rafet Ibishi dhe një grup i tij mbi 50-60 persona që kanë hyrë në objekt dhe mbi 100 persona që kanë qenë jashtë objektit”, ka thënë ai në konferencë për shtyp.

“Fatmirësisht ky sulm kaloi me pasoja shumë të vogla, lëndime të vogla te unë dhe bashkëpunëtorët e mi, por ka qenë një kërcënim shumë i rëndë dhe një kërcënim me qëllime të eliminimit dhe me qëllime të tjera që kanë pasur për qëllim që t’i dëmtojnë asetet dhe pronat e ndërmarrjes”.

Pas këtij incidenti, Ibishi është suspenduar nga një pozitë tjetër që e mbante në këtë ndërmarrje.

Menaxhmenti i Trepçës e ka justifikuar këtë vendim si masë disiplinore pas sulmit fizik ndaj ushtruesit të tanishëm të detyrës së kryeshefit të Trepçës, Enis Abdurrahmanit, si dhe drejtorit të administratës, Besim Haxhiut.

Përpos Ibishit, janë suspenduar edhe Zenel Ibishi, Rrahman Latifi, Sehfki Rama, Bajram Sadiku, Bajram Istrefi dhe Burim Hajdari./SHQIP.com