Lajme

Imunizimi në Kosovë: Pritet miratimi i dhënies të dozës së tretë të vaksinës antiCOVID-19 dhe dozës përforcuese

Vaksinimi anti-COVID

Në Kosovë, së shpejti pritet të miratohet dhënia e dozës së tretë kundër CVODI-19,

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se dhënia e dozës së tretë është çështje ditësh, ndërsa me Komitetin për imunizim kundër COVID-19, e kanë trajtuar edhe çështjen e dhënies së dozës përforcuese.

“Komiteti për imunizim kundër COVID-19 e ka trajtuar çështjen e dhënies së dozës përforcuese dhe dozës shtesë (së tretë) kundër COVID-19 dhe pritet shpejt që të bëhet rekomandimi edhe për dhënien e këtyre dozave”, deklaruan nga MSh.

Ndërkohë, në vend është duke u vazhduar vaksinimi i qytetarëve kundër Coronavirusit me dozën e parë dhe të dytë.

Në Kosovë janë duke u dhënë dy lloje të vaksinës kundër virusit, Pfizer dhe Astra Zeneca.

MSh, gjatë kësaj jave ka informuar qytetarët se nuk kanë nevojë të caktojnë fare termin për të marrë vaksinën, ndërsa u ka bërë apel qytetarëve të cilët e kanë kaluar COVID-19 në muajt e fundit, të vaksinohen sa më parë.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë

“Me qëllim të parandalimit të infektimit dhe mbrojtjes nga COVID-19, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të cilëve e kanë kaluar COVID-19 në muajt e fundit që të vaksinohen me vaksinën kundër COVID-19. Të dhënat shkencore sugjerojnë se ata që e kanë kaluar COVID-19, mund të vaksinohen dy javë pas shërimit”, thuhej në njoftimin e MSH-së.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.589.739 doza të vaksinës. Deri më sot 746.232 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./Shqip.com