““Imam Meti”, i lindur në Prishtinë, lavdëron vrasësin e policit në Gjermani, poston video në TikTok, identifikohet nga autoritetet”

Nga Enver Robelli
Pas sulmit me thikë të një islamisti afgan në Mannheim të Gjermanisë, me ç’rast humbi jetën një polic gjerman 29-vjeçar, në platformën TikTok u postua një video e shkurtër në të cilën një burrë me pseudonimin “Imam Meti” e lavdëroi atentatin dhe bëri thirrje për vepra të tjera të dhunshme islamiste. “Imam Meti”, i cili në video flet gjermanisht, thotë se vrasësi në Mannheim meriton “nivelin më të lartë të parajsës” dhe e quan atë “shembull” që duhet ndjekur.
Siç njofton tani revista DER SPIEGEL, autoritetet gjermane arritën ta identifikojnë personin që postoi videon urrejtjenxitëse në TikTok. Ai është Muhamed R., i lindur më 1988 në Prishtinë. Ky 35-vjeçar prej kohësh është në shënjestër të autoriteteve gjermane për shkak të postimit të videove me përmbajtje islamiste dhe antisemite. Vitin e kaluar ai bëri thirrje për të shkuar në Izrael dhe sulmuar shtetin izraeli.
Muhamed R. ka qëndruar në Gjermani mes viteve 1991-2019. Për herë të fundit ka qenë i lajmëruar në Hamburg. Ai është i njohur për autoritetet e drejtësisë. Ka qenë edhe i dënuar më 2018 për shkak të rezistencës kundër zyrtarëve në lidhje me veprën e shkaktimit të lëndimit trupor. Para disa vitesh autoritetet në Hamburg filluan procedurat për dëbimin e tij, por “Imam Meti” humbi në ilegalitet. Organet gjermane të sigurisë supozojnë se ai gjendet në botën e jashtme, shkruan “DER SPIEGEL”. Sipas kësaj reviste, ai e ka të ndaluar hyrjen në Zonën e Schengenit.
Sipas gazetës gjermane BILD, gjurmët digjitale tregojnë se “Imam Meti” prej dy vitesh gjendet në Nishka Banjë të Serbisë. Nuk dihet ende përkatësia e tij etnike.
Copyright: E.R. & Koha
/Shqip.com