Identifikohen eshtrat e një 17-vjeçari që ishte zhdukur dhunshëm nga lufta

Janë gjetur eshtrat e Nuredin Dvoranit, i cili ishte zhdukur dhunshëm në luftën e fundit në Kosovë.
Ai do të rivarroset këtë të premte në orën 14:00, në fshatin Tërstenik, Komuna e Drenasit.
Lajmin e ka bërë të ditur Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Dvorani ishte 17 vjeçar kur ishte zhdukur dhunshëm nga forcat serbe më 30 prill 1999.
“Eshtrat e Nuredin Dvoranit janë gjetur dhe zhvarrosur nga lokacioni i varrezës masive në Qirez, Komuna e Skenderajt dhe tanimë janë identifikuar përmes analizës së ADN-së”, thuhet në njoftimin për media të komisionit.
Rivarrimi i tij me kërkesë të familjes, do të bëhet me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore, shoqatave të familjarëve të personave të zhdukur dhe institucioneve komunale./SHQIP.com