Lajme

“Ideja për mbylljen e kufirit në Konçul është fashizëm i pastër”

Shaip Kamberi - deputet në parlamentin e Serbisë

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka quajtur “fashizëm të pastër” idenë për mbylljen e kufirit për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përkatësisht pikën kufitare Dheu i Bardhë – Konçul.

Reagimi i tij erdhi pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmendi të hënën idenë për mbylljen e këtij kufiri.

Vuçiqi tha se ideja është që vetëm shqiptarëve të mos u lejohet kalimi nga Serbia në Kosovë, porse sipas tij, nuk po i shkon ndërmend ta bëjë.

E sipas Kamberit, “përmes parandalimit të saj”, Vuçiqi po e paraqet vetën si paqëruajtës i Ballkanit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq

“Në thelb ato nuk do të ishin masa represive vetëm ndaj popullësisë civile, por edhe atak i drejtpërdrejtë ndaj idesë së Ballkanit të hapur me të cilën Vuçiq po krenohet. Në fakt, kjo ide e mbylljes së kufirit në Konçul vetëm për shqiptarët, do të ishte edhe fundi i Open Ballkans”.

“Shqiptarët me siguri nuk do të duartrokisnin këtë rast. As nën kërcënimin e cilësdo fuqi nuk do të pajtoheshim me idenë që të na vendosin në ndonjë rezervat”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, shqiptarët e Luginës janë mësuar me “prezantimin e shpeshtë të disa ideve të çmendura të cilat munden të nxisin konflikte, por në fund na vjen Vuçiq që po i ‘parandalon’”.

“Kujtone idenë e Marko Gjuriqit me trenin shumëngjyrësh. Në elitën qeverisëse serbe, mjerisht, janë të përditshme idetë që prodhojnë konflikte me fqinjët, e të cilat, paqëruajtësi Vuçiq po i “parandalon”. I gjithë qëllimi është ta prezentojnë atë si të “vetmin që i kontribuon paqes në rajon”.

Por, më duhet patjetër ta them që personi i cili e ka propozuar këtë ide duhet të jetë një budalla i pastër politik. Sepse ndërmarrja e masave represive ndaj popullsisë civile (shqiptare) që de fakto janë shtetas të Serbisë, është një masë fashiste të cilën as një budalla sikurse ai që e paska propozuar nuk do të ketë shans për ta aplikuar”, ka shkruar tutje Kamberi./SHQIP.com