Lajme

Ibrahimi: Po përgatisim padi ndaj dy ministrive,dëmi i shkaktuar është 35 milionë euro

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), ka njoftuar se komunat janë duke e shqyrtuar mundësinë që ta padisin Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit (MAShTI) dhe Ministrinë e Shëndetësisë (MSh).

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, thotë se edhe pse kontratat kolektive janë nënshkruar nga këto dy ministri, mbulueshmërinë financiare po detyrohen ta paguajnë komunat.

“Gjatë ditë të fundit, Asociacioni i Komunave të Kosovës organizoi takimet përmbyllëse me kolegjiumet tona profesionale sa i përket hartimit të modelpadive ndaj MASHTI-t dhe Ministrisë së Shëndetësisë. E kanë finalizuar modelet sa i përket modeleve ndaj këtyre dy ministrive dhe në bazë të informatave që i kemi si AKK, vlera e dëmeve që u janë shkaktuar komunave me marrjen e mjeteve buxhetore tejkalon shumën prej 35 milionë euro”, tha ai.

Një muaj më parë pas një takimi midis anëtarëve të bordit të AKK-së, është bërë e ditur se  këto dy kontrata janë nënshkruar pa asnjë konsultim paraprak me Komunat, pa vlerësim të ndikimit buxhetor, pa dakordim me Komunat dhe pa dijeninë e Komunave,  derisa obligimet financiare të tyre kanë rënë tërësisht mbi Komunat dhe buxhetet e tyre.

Foto nga takimi i bordit

“Në Kontratat e nënshkruara thuhet se Qeveria do të planifikoj buxhet por që deri më tani asnjëherë as nuk ka planifikuar e as nuk ka ndarë buxhet për zbatimin e tërësishëm të këtyre dy Kontratave” thuhej në njoftimin e AKK-së.

Ibrahimi ka thënë se si pasojë e këtyre kontratave kolektive, disa komunave u është bllokuar xhirollogaria./Shqip.com