Lajme

I riu ndërroi jetë gjatë arrestimit/ Analiza e DW: Praktikë dhune nga policia në Kosovë?

Praktikë dhune nga policia në Kosovë? Reagime të forta në Kosovë pas ngjarjes, ku një i ri 27 vjeçar ndërroi jetë “gjatë arrestimit të tij nga Policia e Kosovës”, në qytezën e Lipjanit, jo larg Prishtinës. Pesë policët e përfshirë në arrestimin e të riut, të mërkurën dalin para Gjykatës në seancën e parë dëgjimore.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në një mbledhje të Qeverisë, kërkoi hetim të thellë dhe sa më të shpejtë për vdekjen e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu. Raporti i mjekësisë ligjore akoma nuk është bërë publik për të sqaruar shkakun e vdekjes së të riut, gjatë arrestimit të tij nga policia.

Kurti: “Shumëçka prej asaj që ka ndodhur në mesnatën e 7 korrikut tashmë është publike dhe falë incizimeve të dëshmitarëve. Por për të kuptuar çka ka ndodhur duhet hetim profesional nga institucionet. Për këtë, bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës, IPK-së, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është thelbësor. Pesë zyrtarë policorë tanimë janë në paraburgim. Kërkoj dhe pres hetim të thellë e sa më të shpejtë që zbardh të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat, ashtu që të vendoset drejtësia dhe të arrihet llogaridhënia. Nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet për këdo që mund të ketë tejkaluar kompetencat apo të ketë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare”.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se “hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal dhe se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut, do të marrë dënimin e merituar”.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh mbi vdekjen e të riut 27-vjeçar, duke thënë, se “ekzistojnë dyshime serioze se ka ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë”. Osmani e ka cilësuar “tronditëse” vdekjen e të riut dhe kërkoi urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis.

“Të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale, dhe secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë. Askush nuk është mbi ligjin”, tha Presidentja në reagimin e saj.

Edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, në një reagim, thotë se i ka marrë “me shqetësim rastet e raportuara ku zyrtarë të Policisë së Kosovës dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve në dy raste të ndara, njëri rast i ndodhur në Klinë dhe rasti tjetër së fundmi në Lipjan, ku për pasojë humbi jetën një qytetar”.

“Ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thotë Avokati i Popullit.

Sipas tij, “policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor”.

/Shqip.com