Lajme

I dyshuari për vrasjen e shtatzënës kishte aktakuzë për kanosje dhe dënim për armëmbajtje

Gjykata Themelore në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje lidhur me rastin e gruas shtatzënë e cila u vra të mërkurën në mbrëmje para Gjinekologjisë në Prishtinë.

Sipas njoftimit nga Gjykata është bërë e ditur se me datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëgjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje.

“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023. Ky aktvendim i është dorëzuar palëve dhe atë palës përgjegjëse, mbrojtësit të tij, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS–Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës”

Më tutje është bërë e ditur se me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë.

Më 10 gusht ai është akuzuar edhe për kanosje ndaj gruas.

“Me datë 10.08.2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M. Me datë 07.09.2022 lidhur me këtë aktakuzë është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi fillestar, me ç ‘rast i pandehuri S.H. ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet”.

I dyshuar për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj, i cili ishte denoncuar edhe për dhunë në familje më herët. I njëjti ndodhet ende në arrati.

Sot në Prishtinë, pritet të organizohet protestë. Kjo protestë, organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe nis nga ora 16:00.

Protesta organizohet në “Sheshin Zahir Pajaziti”.

/Shqip.com