Lajme

I arrestuari për spiunazh është babai i gazetarit të njohur Zekirja Shabani

Dy persona të dyshuar për “spiunazh”, u arrestuan mesditën e sotme në Ferizaj gjatë një operacioni të ndërmarrë nga policia, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Shqip.com mëson detaje të reja nga kjo ngjarje, ku masa ndaj dy të arrestuarve erdhi pas një hetimi disamujor. Shqip.com ka zbuluar edhe identitetet e dy të dyve. Ata janë Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të vënë tanimë nën akuzë për “spiunazh” për llogari të një shteti apo shteteve të huaja, jo miqësore me Kosovën. Nga sa është mësuar prej dosjes hetimore të të dyve, Shabani dhe Qerimi dyshohet se spiunonin te agjentët e BIA-s serbe, kundër interesave të Kosovës.

Muharrem Qerimi i arrestuar për spiunazh

Burime për redaksinë bëjnë të ditur gjithashtu se hetuesit kanë kryer bastisje në shtëpitë e të arrestuarve në dy lokacione. “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘spiunazhi’, nga neni 124 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin për media nga Prokuroria Speciale. Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe pritet të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme. Ata më pas do të dalin para gjykatës për t’u njohur me rrethanat e faktit, masën e sigurisë dhe ballafaqimin me akuzat.

Një nga të arrestuarit, babai i gazetarit të njohur, Zekirja Shabani
Shqip.com
mëson se njëri nga të arrestuarit, Bedri Shabani është babai i gazetarit të njohur, Zekirja Shabani. Shqip.com tentoi të kontaktojë me gazetarin Zekirja Shabani por deri në momentin kur po shkruhej ky tekst nuk ishte i disponueshëm. Redaksia e Shqip.com mbetet e gatshme të marrë reagimin e Zekirja Shabanit në çdo moment, në mënyrë që të hidhet dritë mbi dyshimet, rrethanat e arrestimit dhe akuzën e spiunazhit ndaj babait të tij.

I arrestuari Bedri Shabani dhe djali i tij, gazetari Zekirja Shabani

Po ashtu, pas njoftimit zyrtar të Prokurorisë Speciale lidhur me arrestimet, një reagim ka ardhur edhe nga Dogana e Kosovës ku ka sqaruar se njëri prej të prangosurve në Ferizaj për spiunazh, Bedri Shabani nuk është pjesë e Doganës prej 20 vjetësh pasi ishte pushuar në fillim të vitit 2004. “Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Spiunonin te BIA serbe?
Dy të arrestuarit nga operacioni i Prokurorisë Speciale, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi do të përballen me akuzën penale të spiunazhit. Burime nga institucione të larta të sigurisë pohojnë njëri nga të ndaluarit është bashkëpunëtor i hershëm i Shërbimit Sekret Serb (BIA) që nga vitet e ’90-ta. I njëjti, sipas këtyre burimeve kishte si detyrë të mblidhte informata dhe të trillonte me qëllim të njollosjes së imazhit të Kosovës duke ndërtuar narracione të njëjta me Serbinë edhe në kontekstin e ndryshimit të fakteve historike.

Gjithashtu, ky burim bën të ditur se të ndaluarit i kanë raportuar një oficeri të shërbimit sekret serb me emrin Sërgjan Rosiç. Ky i fundit, gjatë viteve ’90, ka jetuar në Ferizaj derisa ishte i angazhuar si oficer në shërbimin sekret serb. Emri i tij është përmendur edhe në rastin e gjykimit ndaj kryekriminelit serb Slobodan Millosheviç në Tribunalin Ndërkombëtar të krimeve të luftës në Hagë. Në transkriptin e njërës prej seancave gjyqësore të datës 22 shtator 2005, një dëshmitar i cili ishte polic i SUP-it serb (Sekretariati i Punëve të Brendshme), pyetet nëse e njeh Sërgjan Rosiçin. Ai përgjigjet se Sërgjan Rosiç në atë kohë (sq. vitet e ’80-ta dhe ’90-ta) ishte punonjës operativ në Shërbimin shtetëror të sigurisë për rajonin e Ferizaj.

/Shqip.com