Hyseni: Nuk e kam pritur dorëzimin e detyrës me ceremoni nga Haziri

Alban Hyseni, kryetari i ri i Komunës së Gjilanit, deklaroi se nuk e ka pritur që të enjten të marrë postin me një ceremoni nga ish-kryetari, Lutfi Haziri, përcjell Shqip.com.
Ai tha se këtë e kishte menduar për shkak të gjuhës që kishte përdorur Haziri në fund të fushatës, teksa njoftoi se ka pasur edhe një takim jashtë kamerave me paraardhësin e tij.
“Të them të drejtën s’e kam pritur, edhe pse s’është që se kam çmuar e vlerësuar Hazirin për politikan që mund të tejkalojë edhe veten e të jetë më fleksibil se politikanët tjerë. Gjuha më e ashpërsuar kah fundi i fushatës në balotazh më bëri të mendoj se s’do të ma dorëzojë detyrën”, ka thënë ai në Kohavision.
Tutje, Hyseni deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan është e hapur për bashkëpunim në qeverisje me cilëndo parti, për të krijuar shumicën në Kuvendin Komunal, përpos Listës Serbe.
Sipas tij, janë tre hapa që duhet ndjekur për arritjen e marrëveshjes për koalicion në këtë komunë, duke specifikuar njërën nga pikat ku thuhet se lejohet shkarkimi i menjëhershëm i zyrtarëve që përballen me aktakuza për punën zyrtare.
Edhe pse nuk përjashtoi koalicione me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës, ai pohoi se vendimi final merret nga qendra e partisë.
Ndryshe, Alban Hyseni nga LVV ka fituar mandatin për kryetar të Gjilanit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtur më 14 nëntor, duke marrë 51.03 për qind të votave.
Ndërkaq, Haziri i cili qëndroi për dy mandate në krye të Komunës, mori 48.97 për qind të votave.