Lajme

Hoxhaj për Shqip.com: Lista Serbe ka për qëllim minimin e institucioneve të Kosovës

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj

“Qasja e Listës Serbe është e papranushme dhe e papërgjegjshme dhe padyshim me qëllim të minimit të punës të institucioneve të Kosovës”.

Kështu ka thënë për Shqip.com, nënkryetari i Kuvendit, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Kjo deklaratë erdhi pasi Lista Serbe ka bojkotuar tri mbledhjet e fundit të kryesisë së Kuvendit të Kosovës, duke pamundësuar kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime.

Për nënkryetarin e Kuvendit, Enver Hoxhajn, bojkotimi i mbledhjes së kryesisë nga Lista Serbe bëhet me qëllimin e vetëm për ta dëmtuar punën e institucioneve të vendit.

Më tutje, ai theksoi se shumica parlamentare nuk duhet të lejojë që të ndodhin prapë bojkotime nga ky subjekt politik.

“Kjo duhet të marr fund njëherë e përgjithmonë! Por është detyrë e shumicës parlamentare që ata të bëjnë funksional punën e institucioneve të Kosovës dhe ata duhet të shohin se çka duhet bërë që kjo mos të ndodhë më!”, tha Hoxhaj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Pikërisht, për këtë situatë kishte reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së kryesisë, të mbajtur më 17 nëntor.

Konjufca kishte deklaruar gjatë një konference për media tha se “Lista Serbe po bën shantazh ndaj institucioneve të vendit dhe këtë nuk do ta pranojnë”.

“Lista Serbe po e bojkoton qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme Kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Kjo është e papranueshme për ne dhe nuk pranojmë shantazh aq më keq që Lista Serbe po e bën në mënyrë publike pa e fshehur”, kishte thënë Konjufca.

Lista Serbe

Lista Serbe është subjekt politik që ka 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu është subjekti politik që qeverisë në 10 komuna të vendit, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve lokale.

Por, përkundër se paga marrin në Kosovë – ky subjekt poliitk hapur tregon raporte te mira që i kanë me Beogradin.

Këtë e dëshmojnë edhe takimet që përfaqësuesit e Listës Serbe zhvillojnë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Mbi këtë fuqi të Listës Serbe, subjektet politike në Kosovë thonë se “Beogradi ushtron ndikimin e tij politik përmes kësaj force politike”.

Pos palës shqiptare, edhe komunitetet e tjera joserbe – pretendojnë se pakica serbe është “më e priviliegjuar”, pikërisht bazuar mbi fuqinë që Lista Serbe e ka.

Madje, kreu i saj Goran Rakiq, ka kërcënuar së fundi institucionet e vendit që “do të largohet nga Qeveria”, nëse nuk themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe./Shqip.com