Hoxhaj: Krijimi i udhërrëfyesëve për liberalizimin e vizave është mjerim politik

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka thënë se është mjerim politik krijimi i një udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Sipas Hoxhajt, Parlamenti Evropian disa herë e ka konfirmuar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Këtë Hoxhaj e ka thënë përmes një postimi në Facebook.
“Mjegulla evropiane e krijuar për liberalizimin e vizave është një koncentrat hipokrizie dhe diskriminim i ndërtuar në paranoja dhe paragjykime! Disa herë Komisioni dhe Parlamenti Evropian nga viti 2018 kanë konfirmuar që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret! Çfarë dëgjoj dje dhe sot rreth ndonjë udhërrëfyesi të ri, është mjerim politik, gjë që ju kam thënë për shumë kohë kolegëve të mi evropianë”, shkroi Hoxhaj.

Duke folur të hënën në një debat në Parlamentin Evropian, komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, paralajmëroi se mund të ketë një udhërrëfyes shtesë për Kosovën, për t’i adresuar disa shqetësime të vendeve anëtare rreth liberalizimit të vizave.
Kundër këtij udhërrëfyesit ka dal edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Lexo edhe:
Hoti kundër udhërrëfyesit të ri për liberalizimin e vizave, akuzon komisioneri Varhelyi
Hoti ka thënë se qëndrimet e dy vendeve të BE-së për të mos liberalizuar vizat për kosovarët, qëndrime të cilat janë krejtësisht rezultat i dinamikës së tyre të brendshme politike, nuk duhet lejuar të ngritën në nivel të çfarëdo udhërrëfyesi të ri për liberalizim të vizave për Kosovën./Shqip.com