Lajme

Hoxhaj: Beogradi po mban samit kundër Kosovës, diplomacia jonë heshtë

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, njëherësh deputet në Kuvend nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar diplomacinë e Kosovës për mosveprim derisa thotë se në Beograd po mbahet Samiti i të Painkuadruarve, që sipas tij, ka për qëllim goditjen e Kosovës, transmeton Shqip.com.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Hoxhaj ka thënë se Serbia sot organizoi Samitin e të Painkuadruarve, mbajtja e të cilit, sipas tij, nuk ka për qëllim të kujtojë e flasë për 60-vjetorin e themelimit të kësaj lëvizje, por shpërfaqë dy qëllime të politikës së jashtme serbe, të cilat do të promovohen jo vetëm gjatë kohës së mbajtjes së samitit, por që do kenë edhe efekte në kohë.

“Qëllimi i parë është të godasë Kosovën në planin ndërkombëtar! Qoftë me tërheqje të njohjeve apo me bllokim të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare! Qëllimi i dytë minimi i vlerave të Perëndimit kudo në botë. Sepse dihet se përmes kësaj lëvizje po përfaqësohen interesat e Rusisë dhe të Kinës, aty ku këto nuk mund ta bëjnë vetë këtë!”, ka shkruar ai.

“Meqë çdo lloj shteti, race e feje është mbledhur në Beograd, ndër tjerash kundër Kosovës, politika e jashtme e Kosovës duhet të mbledhë forcën, të paktën të dalë me një qëndrim me shkrim për këtë ngjarje antiperëndimore, në të cilën ministri i jashtëm rus Lavrov është mysafir nderi i Samitit!” ka shkruar tutje Hoxhaj.

“Çfarë është ky vetizolim krenar dhe i vet imponuar, ku politika e jashtme e Kosovës nuk ka guxim as për t’u përballur me ‘farsat’ dhe ‘truket’ e Serbisë”.

Gjatë këtij samiti të sotëm në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, derisa foli për Kosovën, tha se Serbia “po lufton për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial” dhe se “është e përkushtuar për një zgjidhje afatgjate dhe paqësore që ruan sigurinë në rajon”. /Shqip.com