Lajme

Hoti tregon se sa duhet të rriten pagat në Kosovë

Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se pagat në Kosovë duhet të rriten për 10 për qind.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se pagat në sektorin publik nuk janë rritur që nga viti 2016.

“Pagat në sektorin publik nuk janë rritur që nga viti 2016, kur u zbatua rritja prej 2% deri në 20% për shkak të viteve të përvojës së punës. Për shkak të ndryshimeve strukturore në ekonomi dhe në nevojat për konsum të familjeve, si dhe inflacionit inercial për periudhën 2016-2021, është e natyrshme që pagat reale duhet të rriten së paku me 10%. Kjo rritje është modeste, pasi përbën rritje prej 2% në vit. Kështu që, për të siguruar rritje reale të pagave prej 10%, si dhe për të kompensuar zhvlerësimin për shkak të inflacionit siç u diskutua më lartë, vlera e koeficientit të pagave duhet të jetë 137.5 euro. [e njëjta përshtatje duhet të ndodhë edhe për skemat pensionale dhe të ndihmës sociale]”, shkroi Hoti.

Hoti tha se Qeveria nuk ka përshtatur pagat me normën e inflacionit.

“Për shkak të rritjes enorme të çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm, vlera reale apo fuqia blerëse e pagave u zvogëlua dukshëm gjatë vitit 2022. Qeveria nuk i përshtati pagat për normën e inflacionit, e as nuk e rriti pagën minimale. Rrjedhimisht, për pjesën më të madhe të familjeve (që kanë të ardhura vetëm nga paga) standardi i jetës ra për shkak të reduktimit të konsumit”.

Megjithatë, ish-kryeministri thotë se ka pasiguri në Ligjin e Pagave

“Edhe pse ligji i pagave është shpallur në Gazetën Zyrtare më 5 janar 2023, Qeveria ende nuk e ka caktuar vlerën e koeficientit. Rrjedhimisht, askush nuk e di sa do ta ketë pagën në muajin shkurt. Kjo ka krijuar pasiguri tek të punësuarit, pasi shumë prej tyre kanë kredi apo obligime të rregullta mujore. Mos caktimi i vlerës së koeficientit përbënë shkelje të të drejtave të punëtorëve”.

Krahas kësaj, Hoti thotë se koeficienti prej 125 euro nuk i ruan pagat e njëjta në fuqi blerëse.

3. SA DUHET TË JETË VLERA E KOEFICIENTIT PËR TË RUAJTUR PAGAT E NJËJTA NË FUQI BLERËSE? Bazuar në një llogaritje të thjeshtë: një vlerë e koeficientit prej 125 euro i ruan pagat e njëjta në fuqi blerëse, siç kanë qenë në dhjetor 2021 përpara rritjes së çmimeve. Pra, kjo vlerë e koeficientit nuk paraqet rritje reale të pagave. Rritje reale sigurohet nëse vlera e koeficientit është më e lartë se 125 euro. Çfarëdo vlere e koeficientit më pak se 125 euro nënkupton ulje të pagave në fuqi blerëse në mallra dhe shërbime.

Kujtojmë se koeficienti i pagave në ligjin e ri për Paga ende nuk është treguar dhe se nuk dihet se sa do të jetë ai.

/Shqip.com