Lajme

Hoti: Mandatin si kryeministër e kam dorëzuar me rritje pozitive të ekonomisë

Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëherësh deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, ka thënë se mandatin e tij si kryeministër e ka dorëzuar tek Qeveria e re me rritje pozitive të ekonomisë.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se që nga ajo kohë, ekonomia e Kosovës është në rënje.

“Në qeverinë e udhëhequr nga unë, kemi punuar shumë për të nxjerrë ekonominë nga kriza për shkak të pandemisë. E kthyem trendin pozitiv që në muajt e parë të vitit 2021. E dorëzuam mandatin me rritje pozitive ekonomike, me baza të mira për të vazhduar më tutje. Që nga atëherë, trendi i rritjes ekonomike është në rënie”, shkroi Hoti.

Skema e paraqitur nga Avdullah Hoti në Facebook.

Për këtë gjendje, sipas Hotit janë shkaktar faktor të jashtëm por edhe politikat ekonomike e fiskale.

“Sigurisht shkaktarë janë edhe faktorët e jashtëm, por në politika ekonomike dhe fiskale nuk është ndërmarrë asnjë veprim domethënës. Qeveria është mbyllur plotësisht ndaj bizneseve”.

Tutje, Hoti përmendi se nuk është mbajtur asnjë mbledhje e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik që të diskutohet për shqetësimet e bizneseve dhe politikat e reja ekonomike./Shqip.com