Historiani kroat: Idea e Vuçiqit për “Botën Serbe” s’mund të realizohet pa dhunë

Një nga historianët më të njohur kroatë, Ivo Goldstein, thotë se koncepti i “botës serbe” që po e promovon Beogradi, është sfidë e rrezikshme për Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën e Malin e Zi, transmeton Shqip.com.
Ai në një intervistë për “Al Jazeera Balkans”, tha se paralajmërimi i hapur nga Serbia se do të krijojnë “botën serbe”, e ndërron thelbësisht situatën në rajon dhe se një ide e tillë nuk mund të realizohet pa dhunë.
“Çdokush që e shtynë përpara realizimin e ‘botës serbe’ duhet të jetë i vetëdijshëm se kjo ide nuk mund të realizohet pa dhunë. E kemi parë si funksionon ky realizim në terren, e kemi parë se si, ta zëmë, Kisha Ortodokse Serbe ka organizuar vendosjen në fron të metropolitit në Cetinje, në kryeqytetin historik të Malit të Zi. Pra, ky ka qenë provokim i paramenduar”, thotë Goldstein.
Sipas tij, ky koncpet ka qëllim dominimin e Serbisë në hapësirën postjugosllave, mundësisht duke zgjeruar ndikimin e Beogradit edhe në Shqipëri.
“E rëndësishme është se çfarë mesazhi na përçon promotori i kësaj ideje – Aleksandar Vuçiqi, i cili po u sugjeron serbëve në shtetet fqinje që të jenë në radhë të parë serbë, jo qytetarë të atyre shteteve. Ai de fakto nuk po prezantohet si kryetar i të gjithë qytetarëve të Serbisë, por si udhëheqës, si bajraktar i ‘fisit’ serb. Ai po formulon si të thuash një bashkësi fisnore në të cilën serbët bashkohen rreth tij”, shpjegoi Goldstein.
Ky koncept i shtetit dhe kombit si bashkësi fisnore, tha Goldstein, i vë gjërat në këtë kuptim: në njërën anë “ne”, në anën tjetër “ata”, të cilët janë “të tjerët” dhe “të ndryshëm”. Kjo detyrimisht shkakton konflikte.
“Kur serbët jashtë Serbisë ndihen në radhë të parë si serbë, e tek pastaj si qytetarë të atyre shteteve, kjo është e dëmshme për pozitën e tyre sepse ata kështu vetëpërjashtohen nga jeta politike e shtetit”.
“Krejt ato tregimet mbi rrugën drejt integrimeve euroatlantke që po vijnë nga Brukseli dhe vendet kryesore anëtare, po i dëgjojmë pa efekt juridik. Ky është mungesë suksesi i politikës europiane, por edhe i politikës së NATO-s, përfshirë SHBA-të”, tha Goldstein. /Shqip.com