Historianët e Deçanit: “Europa Nostra” krahë Serbisë, po zbaton politika anti-shqiptare

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, ka reaguar pas raportit të 13 korrikut të lëshuar nga Organizata jo-qeveritare “Europa Nostra”.
Përmes një reagimi nga ana e tyre ata thonë se “Europa Nostra”, po bëhet krahë i Serbisë e po ashtu po zbaton politika anti-shqiptare.
“Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan (LHK “Ali Hadri” dega në Deçan) dhe Shoqata e Intelektualëve të Pavarur në Deçan (SHIP), shprehën të shqetësuar me raportin e datës 13 korrik 2022, të lëshuar nga ana e Organizatës jo-qeveritare “Europa Nostra”, kjo pas vizitës që përfaqësuesit e kësaj organizate bën në Kosovë. LHK “Ali Hadri” dega në Deçan dhe SHIP në Deçan, shprehën të shqetësuar me politikën anti shqiptare të OJQ “Europa Nostra”, e cila me rastin e Manastirit të Deçanit, është vënë në krahë të shtetit serbë”, thuhet në reagim.
Po ashtu ata dënojnë fuqishëm tentimin e OJQ “Europa Nostra”, që Manastirin e Deçanit t’a paraqesin si monumente të rrezikuar.
“Për ne, edhe me shqetësuese është se përfaqësuesit e kësaj organizate, gjatë qëndrimit disa ditorë në Kosovë, gjithnjë dhe në vazhdimësi janë shoqëruar nga një prift serb dhe kanë lëvizur me një automjet pronë e Kishës Ortodoksë Serbe, të vozitur po nga një prift serbë. LHK “Ali Hadri” dega në Deçan dhe SHIP në Deçan, dënojnë fuqishëm tentimin e OJQ “Europa Nostra”, që Manastirin e Deçanit t’a paraqesin si monumente të rrezikuar”, thuhet më tutje në reagim.
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” i ka bërë thirrje KFOR-it që “që sa më parë të dal me qëndrim zyrtar rreth sigurisë së Manastirit të Deçanit dhe me ketë rast duhet të përgënjeshtrohet OJQ Europa Nostra”./Shqip.com

