Kulturë

“Historia e ilirëve”, i autorit Selim Islami, u kujtua në 100-vjetorin e lindjes

“Historia e ilirëve”, i autorit Selim Islami
“Historia e ilirëve”, i autorit Selim Islami

Arkeolog dhe zëvendësdekan, autor i veprës “Kultura ilire e tumave të matit” dhe “Historia e ilirëve”, Selim Islami u kujtua në Akademinë e Shkencave në 100-vjetorin e lindjes. Arkeologu Neritan Ceka, nxënës e mik i tij për 4 dekada e rrëfen sipas kujtimeve të veta, mes korridoreve të fakultetit dhe atyre në muzeut të Arkeologjisë, në kohë kur mbrojtja e trashëgimisë mund të përbënte rrezik.

“Dua të kujtoj këtu përballimin e Selim Islamit e Gani Strazimirit me kryeministrin e asaj kohe Mehmet Shehu në Apolloni kur e kundërshtuan me rrezik që të akuzoheshin si sabotatorë të mbrojtjes nga sulmi imagjinar i NATO-s, kërkesën e tij këmbëngulëse për të ndërtuar bunkerë në sitin arkeologjik”, tha Ceka.

Pas studimeve në Moskë ai u bë drejtor i muzeut arkeologjik dhe solli konceptin e gërmimeve të shpëtimit në Mat, ndërsa me gërmimet në tuma, u dëshmua procesi i etnogjenezës ilire. Por survejimi ndaj tij, nuk u ndal.

“Selim Islami nuk u trajtua siç e meritonte nga pushteti i kohës. Më 1966 u transferua si punonjës i thjeshtë në muzeun e Shkodrës në të ashtuquajturin qarkullim kuadrosh ku futeshin ata që dyshoheshin për qëndrim joortodoks ndaj politikave maoiste të partisë. Më pati thënë atëherë për atë qarkullim: ‘le ta provojmë edhe këtë gjellë”, tha Ceka.

Për kontributin e dhënë në arkeologji dhe Islamit ju dha pas vdekjes titulli “Nderi i Akademisë” që u tërhoq nga mbesa e tij.

/Shqip.com