Sport Ndërkombëtar

Higuain jep lajmin e dhimbshëm (VIDEO)

Sulmuesi argjentinas Gonzalo Higuaín ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga futbolli. Në tri edicionet e fundit ai ishte anëtar i skuadrës amerikane Inter Miami, ku shënoi 27 gola në 65 ndeshje.

“Ka ardhur dita t’i them lamtumirë futbollit, një profesion që më ka dhënë shumë dhe ndjehem i privilegjuar që e kam jetuar me momentet e tij të mira dhe jo aq të mira”, u shpreh ai ndërsa nuk mbante dot lotët.

Gonzalo Higuain u stërvit në akademinë e të rinjve të River Plate përpara se të bënte hapin drejt Real Madridit në dimrin 2006-07.

Shtatë sezone më vonë, me tre La Liga, një Kupë dhe dy Superkupa të Spanjës, ai u transferua te Napoli. Ai arriti të shënonte 36 gola në 35 ndeshje në 2015-16 dhe ishte golashënuesi më i mirë në Serinë A.

Prej aty ai shkoi në Juventus ku pas një sezoni të parë të mrekullueshëm me 24 gola, shifrat e tij përfunduan duke rënë dhe pasi u huazua te Milan dhe Chelsea, ai shkoi në MLS në 2020, te Inter Miami.

Sulmuesi kishte një rol të spikatur edhe në Kombëtaren e Argjentinës, ku luajti për nëntë vite (2009-2018) dhe shënoi 31 gola në 75 ndeshje.

 Higuain ishte gjithashtu qendërsulmuesi titullar i kësaj përfaqësueseje në edicionin ku u shpall nënkampione bote në Brazil 2014.