Lajme

Heqja e masave ndaj Kosovës, Stano: Nuk ka datë të saktë, të mos spekulohet

Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE)
Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE)

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ende nuk e ka dorëzuar raportin e tij lidhur me mundësinë e heqjes së masave Kosovës tek shtetet anëtare.

Zëdhënësi i tij, Peter Stano, ka thënë se nuk ka datë të saktë se kur kjo do të ndodhë, e njëkohësisht refuzon që të spekuloi lidhur me përmbajtjen e raportit, për të cilin disa zyrtarë të Prishtinës kanë paralajmëruar se do jetë pozitiv.

“Kjo është çështje institucionale mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë. Pra, natyrisht, nuk kemi nevojë që dikush nga jashtë të përpiqet të spekulojë për përmbajtjen dhe afatet kohore. Do të bëhet në atë kohë që është e përshtatshme për Përfaqësuesin e Lartë dhe shtetet anëtare. Ndërsa përmbajtja e raportit do zbardhet fillimisht për shtetet anëtare fillimisht të cilët do e shohin dhe do diskutojnë mbi raportin, dhe më pas marrin vendimet e nevojshme. Dhe kur kjo do të ketë ndodhur apo kur kjo do të ndodhë, atëherë ne, natyrisht do i njoftojmë homologët tanë në Kosovë, Pra nuk ka vend dhe nuk shohim asnjë arsye për spekulime publike dhe njoftime nga aktorë të ndryshëm”, ka thënë Stano.

Stano javëve të fundit rregullisht porosiste se raporti i Josep Borrell është duke u finalizuar.

Ndonëse kjo nuk pranohet publikisht, ky raport ishte paraparë të dorëzohet tek shtetet anëtare gjatë javës së shkoi, ndërsa raporti u tërhoq në momentin e fundit pa ndonjë shpjegim të qartë.

Një mundësi e re për dorëzim të raportit është mesi i kësaj jave, ndonëse akoma nuk ka konfirmim se kjo gjë edhe do ndodhë.

Vetëm pas dorëzimit të raportit të Borrell, shtetet anëtare mund të vazhdojnë diskutimet lidhur me mundësinë e heqjes së masave të cilat janë vendosur në qershor të vitit 2023.

Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në fund të muajit prill kanë debatuar për herë të parë për masat ndaj Kosovës. Atëbotë disponimi i shumicës ishte se janë pjekur kushtet për heqjen e tyre dhe e vetmja paqartësi ishte lidhur me atë nëse masat duhej të hiqeshin krejtësisht apo në mënyrë graduale.

/Shqip.com