Sport Ndërkombëtar

Henry e ka këtë vlerësim për  Granit Xhakën

Arsenali e ka nisur shumë mirë kampionatin e sivjetmë në Ligën Premiere dhe pas tetë javësh e kryeson renditjen me 21 pikë, një më shumë se përcjellësi më i afërt, Manchester City.

Sigurisht që kjo është meritë e grupit, por legjenda e skuadrës londineze, Thierry Henry beson se Gabriel Jesus, William Saliba dhe Granit Xhaka kanë qenë çelësi për këtë fillim të shkëlqyeshëm.

Henry mendon se Arsenali tashmë po tregon shenja të rëndësishme përmirësimi nën drejtimin e trajnerit Mikel Arteta dhe këmbëngul se ish-klubi i tij duhet të konsiderohet si pretendent për titullin e Premier League.

“Ajo që më pëlqen në skuadrën e Arsenalit është fakti se tani duket si një ekip tjetër. Nëse flisni për diçka që është e rëndësishme, është një ekip tjetër”, tha Henry për CBS Sports.

“Gabriel Jesus po ndryshon vërtet, jo vetëm ai, Saliba në prapavijë i lejon ata të luajnë në një katërshe, kështu që Mikel po shkon në atë që bën Pep me Cityn”.

“Granit Xhaka po luan shumë më mirë. Kjo është ajo që më bëri më shumë përshtypje sesa rezultati”.

I pyetur nëse beson se Arsenali është rikthyer, Henry u përgjigj: “Çfarë mund të themi kur janë zhvilluar tetë ndeshje në ligë? Unë do të thosha se po i kthehemi konkurrencës”.

“Ajo që është e këndshme për të parë është një ekip që mund të konkurrojë. Kur kalon janarin dhe je ende lart, atje, duke konkurruar për titullin, atëherë ju jeni një pretendent për titull”, ka thënë në fund legjendari Henry.

/Shqip.com