Haziri paralajmëron veprime kushtetuese nëse shtyhen zgjedhjet

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka paralajmëruar se partia e tij do të ndërmarrë “veprime kushtetuese” në rast se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, vendos për shtyrjen e zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen më 17 tetor.
Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së të hënën, Haziri para mediave ka deklaruar se “askush s’ka të drejtë kushtetuese t’i shtyjë zgjedhjet”, dhe sipas tij, nuk ka arsye për këtë.
“Nuk ka askush të drejtë kushtetuese për shtyrjen e zgjedhjeve, në të kundërtën LDK-ja do të ndërmerr veprime kushtetuese për të mbrojtur 17 tetorin, si datë që është përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve”, është shprehur ai.
Më tej, ka shtuar se LDK-ja është e pajtimit për shkurtimin e fushatës në vetëm pesë ditë, apo nëse është e nevojshme mos të mbahet fare.
“Duke para që kjo qeveri po dështon në menaxhim, jemi të gatshëm që ta shkurtojmë fushatën në vetëm pesë ditë. Ftojmë partitë për kulturë konsensusi dhe nëse është e nevojshme fushatën ta ulim në pikën zero”.
Për shkak të situatës së rënduar me pandeminë COVID-19 në vend, ditë më parë kryeparlamentari Glauk Konjufca ka deklaruar se zgjedhjet lokale duhet të shtyhen. Kundër kësaj ideje kanë dalë partitë opozitare të cilat kanë thënë se janë pro shkurtimit të fushatës, por jo edhe shtyrjes së zgjedhjeve. Sipas tyre, VV-ja po i “frikësohet rezultatit” ndaj po kërkon të shtyhen zgjedhjet.
Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar për të hënën në një takim konsultativ të gjitha partitë politike për të diskutuar rreth procesit zgjedhor dhe ndikimin e këtij procesi në situatën epidemiologjike.
Takimi i presidentes Osmani me përfaqësues të partive politike, vjen pas letrës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), që ka rekomanduar mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Sipas letrës së IKSHPK-së, mbajtja e zgjedhjeve do të ndikonte në rritjen e rasteve me coronavirus e për pasojë do të rriste edhe rrezikun e rritjes së rasteve të vdekjeve./SHQIP.com